OAK: Të largohet kufizimi i orarit dhe të lejohet puna brenda restoranteve

OAK: Të largohet kufizimi i orarit dhe të lejohet puna brenda restoranteve

Ekonomia September 07, 2020 - 14:15

Gjendja e rëndë e sektorit privat si rezultat i pandemisë dhe mospërkrahja e mjaftueshme e bizneseve dhe punëtorëve të sektorit privat nga ana e Qeverisë është arsyeja që kërkohet nga Qeveria që menjëherë të largohen kufizimet e orarit dhe të lejohet puna e restoranteve brenda, thuhet në kërkesën që Oda e Afarizmit e Kosovës e ka dërguar te kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Mosfunksionimi i bizneseve, në veçanti të sektorit të gastronomisë, gjatë periudhës së pandemisë, si dhe vendimet për kufizim të orareve të punës, kufizim i cili përveçqë po ndikon në dëmtim të bizneseve, po ndikon negativisht edhe në ekonominë vendore”, thuhet në komunikatën e OAK-ut.

Sipas OAK-ut, ky vendim është marrë me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë, mirëpo duke parë lëvizjet e shumta që qytetarët e Kosovës po bëjnë jashtë vendit për të vizituar bregdetin dhe masat e pakta që janë në këto vende, Oda e Afarizmit e Kosovës kërkon që të lejohet funksionimi normal i bizneseve të gastronomisë dhe ky vendim të anulohet.

OAK-u konsideron që për ndryshim të këtij vendimi duhet të merren masa për kontrollim dhe respektim të rregulloreve për funksionimin e këtyre bizneseve. /Zëri