Infektuar: 17422
Shëruar: 14894
Vdekur: 657
Maqedonia prezanton pakon e katërt prej 470 milionë eurove në mbrojtje të ekonomisë nga koronavirusi

Maqedonia prezanton pakon e katërt prej 470 milionë eurove në mbrojtje të ekonomisë nga koronavirusi

Ekonomia September 28, 2020 - 10:42

470 milionë euro përmes 31 masave qeveritare duhet të përfundojnë te qytetarët dhe te kompanitë me pakon e katërt të masave për rimëkëmbjen e ekonomisë nga pasojat e pandemisë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se kjo ndihmë do t’u ndahet qytetarëve, duke përfshirë këtu edhe subvencionimin e pagave minimale për të punësuarit në sektorin privat deri në fund të vitit.

“Pakoja e katër është ndihmë direkte për nxitje të shpenzimeve personale që janë stimulues të rritjes ekonomike. Masa për përkrahje të pagës mujore, e cila është në vlerë prej 70 milionë eurosh, përfshin 83 mijë të punësuar. Kjo ndihmë do të vlejë për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor”, tha kryeministri i vendit, Zoran Zaev, raporton “EuronewsAlbania”.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka programuar të ndajë edhe bonuse për shtresat më të goditura nga pandemia.

“Kartelat pagesore këtë herë janë prej 6.000 dinarësh dhe do t’i fitojnë 5 mijë prindër të vetëm, 182 mijë pensionistë të cilët marrin pension deri në 15 mijë dinarë, të punësuarit pasivë, artistët e pavarur, punonjësit në kulturë dhe estradë. Kartela pagesore për blerje të produkteve vendore do të marrin edhe 540 studentë”, theksoi ai.

Për të ndihmuar edhe sektorin e turizmit Qeveria vendosi paga për 150 ciceronë turistikë të regjistruar deri në fund të vitit, si dhe ndihmë financiare për 500 agjenci turistike. Masat ekonomike i përfshijnë për ndihmë financiare shumë sektorë në ekonomi, duke shtuar edhe vreshtarët, pronarët e kazinove, ekonomistët.

Opozita maqedonase e ka kritikuar këtë pako ekonomike, duke thënë se Qeveria është përpjekur për të hequr vëmendjen nga problemet e vërteta me të cilat po përballet vendi.