Infektuar: 35549
Shëruar: 21746
Vdekur: 939
Kuçi raporton në Komisionin Hetimor, thotë se është kundër ndërtimit të hidrocentraleve

Kuçi raporton në Komisionin Hetimor, thotë se është kundër ndërtimit të hidrocentraleve

Ekonomia October 23, 2020 - 12:30

Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë ka intervistuar ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Kuçi tha se në mandatin e tij ka lëshuar vetëm një leje ujore dhe dy mjedisore, që është kusht për ndërtimin e hidrocentralit.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, pyeti në lidhje me kompanitë që kanë aplikuar për të marrë leje për ndërtimin e hidrocentraleve dhe ato që janë në procedurë.

“A keni një pasqyrë te saktë sa kompani kanë aplikuar për hidrocentrale për të marrë leje dhe cilat janë procedurat për t’u pajisur me leje këto hidrocentrale. A ka një analizë për ndikimin e këtyre hidrocentraleve”, pyeti Avdyli.

Ndërsa ministri Kuçi shpjegoi në detaje se cilat janë procedurat për të ndërtuar një hidrocentral.

“Procedura shkon, merret një pëlqim nga komuna dhe ZRRE-ja. Ato janë procedura jashtë Ministrisë sonë. Mandej fillon marrja e pëlqimeve dhe leje. Marrja e pëlqimit mjedisor bëhet nga ne dhe kjo bëhet pas dorëzimit të raportit mjedisor.

Mbështetja ligjore bëhet duke u bazuar në Ligjin e Mjedisit dhe në udhëzimin për pëlqim mjedisor. Marrja e kushteve ligjore bëhet pastaj. Dokumenti i tretë është pëlqimi ujor dhe dokumenti i katërt është leja ndërtimore, që lëshohet nga komuna nëse është nën 10 megavate, ndërsa nëse është mbi 10 megavate, atëherë leja jepet nga ne.

Këto janë bazat për ta ndërtuar një hidrocentral dhe pas kësaj operatori ekonomik aplikon për leje ujore dhe pastaj jepet leja e përdorimit, ku pas kësaj jepet leja mjedisore”, u përgjigj Kuçi, teksa tha se me këto kushte, operatori ekonomik përfundon procedurat me Ministrinë e Ekonomisë, që pastaj bëhet aplikimi me ZRRE-ja.

“Leje ujore janë lëshuar deri sot 22. Leje ujore është lëshuar në Dragash me kapacitet 4 megavate, është lëshuar në vitin 2020, në Shtërpcë është lëshuar leja ujore më 2020-n, gjatë mandatit tim. Leje ujore tjera që kanë të bëjnë. Leje mjedisore ka vetëm ‘Hidro Energy’ SHPK, Ferizaj, Lepenci”, tha Kuçi.

Ai tha se duhet t’i jepet përparësi energjisë së ripërtërishme, duke shtuar se vizion e ka të mos vazhdohet më ndërtimin e hidrocentraleve, raporton EO-ja.

Deputeti i PDK-së, Bajrush Xhemajli, pyeti Kuçin për gjendjen ujore në ato vende që operojnë hidrocentralet.

“Cila është gjendja sasiore e ujërave, sidomos në ato vende që operojnë hidrocentralet?”, pyeti ai.

Kuçi tha se për këtë nuk kanë bërë ndonjë studim, pasi sipas tij matjet ujore i bën Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

“Në procesin e kësaj procedure shqyrtohet edhe gjendja ujore. Ne kemi një strategji për vitin 2019-2026, ku sot nuk kemi ndonjë studim ose të dhëna reale sa i përket gjendjes ujore, por që këto i bën IHMK-ja”, tha Kuçi.