Çmimi i vajit u ngrit për mbi 10 për qind nga marsi i vitit të kaluar

Çmimi i vajit u ngrit për mbi 10 për qind nga marsi i vitit të kaluar

Ekonomia April 12, 2021 - 12:15

Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit” për muajin mars 2021.

Nga këto të dhëna del se në krahasim me marsin e vitit të kaluar, në marsin e këtij viti kemi ngritje çmimesh të produkteve të konsumit e ngritja më e dukshme është te vajrat dhe yndyrat, që ka shkuar deri në mbi 10%, raporton Zeri.info.

Rritje çmimesh, sipas ASK-së, kanë pësuar edhe produktet farmaceutike (3,5%) përgjatë kësaj periudhe të raportimit.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,2 për qind në muajin mars 2021, duke e krahasuar me muajin mars 2020.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2,5%); qumësht, djathë dhe vezë (2,5%); vajra dhe yndyrat (10,3%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemë dhe perime (1,3%); pije alkoolike (2,5%); duhan (4,6%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin (1,5%); gaz (3,2%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj., (3,9%); pajisje shtëpiake (3,4%); produkte farmaceutike (3,5%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (3,6%); shërbime për transport (4,2%) - “ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror”, shërbimet telefonike dhe të telefaksit (20,3%); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (2,7%); shërbime hoteliere (1,0%); kujdes personal (1,0%); dhe shërbime financiare (4,2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,0 për qind në IHÇK”, thuhet në komunikatë.

Sipas ASK-së, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0,4% në muajin mars 2021.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,4% në muajin mars 2021, krahasuar me muajin shkurt 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: vajra dhe yndyra (2,8%); pemë (3,8%); pije alkoolike (1,6%); këpucë (3,1%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (4,7%); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,5 për qind. Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupi i COICOP-it, perime (-1,5%), me një ndikim të këtij nëngrupi prej (-0,1 për qind) në IHÇK”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Po ashtu, sipas ASK-së, Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike kishte ndikuar në uljen e çmimit të energjisë elektrike.

“Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-12,9%); perime (-5,7%); energjia elektrike (-10,8%) - zbritja e çmimit të energjisë elektrike ka ardhur nga zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, COVID-19, Nr. 07/L-016, Neni 15, për periudhën janar - maj 2021 - me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0,8 për qind) në IHÇK”, thuhet në komunikatë. /Zëri