Kosova merr kredi 25 milionë euro nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës

Kosova merr kredi 25 milionë euro nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës

Ekonomia May 27, 2021 - 16:33

Ministria e Financave Punës dhe Transfereve ka nënshkruar sot marrëveshjen Kornizë të Kredisë me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për projektin “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Ministria ka njoftuar se nënshkrimin e kësaj marrëveshje në emër të Kosovës e ka bërë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ndërsa nga ana e BZHKE-së ajo është nënshkruar nga Guvernatori i BZHKE, Rolf Wenzel.

Vlera e kredisë është 25 milionë euro, transmeton Zeri.info

“Kjo Marrëveshje bazohet në marrëveshjen bazë të financimit prej 35 milion € të nënshkruar në gusht 2020, e cila ka mbuluar një pjesë të shpenzimeve në kuadër të menaxhimit të pandemisë, me një fokus në përkrahjen e ballafaqimit të vështirësive për punonjësit shëndetësorë, si dhe blerjen e pajisjeve mjekësore, materialet mbrojtëse, dhe ndërtimin e zinxhirit të ftohtë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Marrëveshja e Amandamentimit ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për t’u ofruar shërbime mjekësore të prekurve nga virusi COVID-19, financimin retroaktiv të vaksinave për rreth 50% të popullsisë, dhe menaxhimin e pandemisë në tërësi nga Qeveria e Kosovës.

“BZhKE mbetet një nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë që ndihmojnë Kosovën me ballafaqimin me pandeminë COVID-19”, thueht në njoftim. /Zëri