Kosova fiton një rast në Arbitrazh, shpëtohen 18 milionë euro

Kosova fiton një rast në Arbitrazh, shpëtohen 18 milionë euro

Ekonomia September 10, 2021 - 15:53

Kosova ka fituar rastin e padisë së parashtruar në vitin 2019 nga një kompani kroate, e cila kishte paditur Agjencinë Kosovare të Privatizimit në Arbitrazh.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka njoftuar sot se ka fituar kontestin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit, pas padisë së parashtruar, më datën 1 prill 2019, për kompensim dëmi dhe fitim të humbur në vlerë prej 18.121.690.17 milionë eurove nga pala paditëse “IMING d.o.o Strobec – Republika e Kroacisë”.

AKP-ja ishte paditur në cilësi të administratorit të ndërmarrjes shoqërore “MIM Goleshi” - Miniera e Magnezit në Golesh të Lipjanit.

Kontesti gjyqësor është zhvilluar sipas rregullave të “Unicitral”-it të vitit 2010.

“Pas një procesi të gjatë gjyqësor, AKP-ja ka pranuar sot, 10 shator 2021, vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, me ç’rast mbrojtja ligjore e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka sjellë fitore në këtë kontest. Veç mbrojtjes së interesit të Republikës së Kosovës, me këtë fitore janë ruajtur edhe fondet publike prej 18.121.690.17 milionë eurove. Sipas vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, pala paditëse, për më tepër, obligohet që në emër të shpenzimeve procedurale të Tribunalit t’ia paguajë Agjencisë Kosovare të Privatizimit shumën prej 342.954.67 mijë eurove”, thuhet në njoftimin e AKP-së. /Zëri