Murati: Kosova ka rikuperuar pothuajse plotësisht humbjet e shkaktuara nga pandemia në ekonomi
Foto:Laura Hasani

Murati: Kosova ka rikuperuar pothuajse plotësisht humbjet e shkaktuara nga pandemia në ekonomi

Ekonomia November 25, 2021 - 13:14

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka paraqitur në Kuvend projektligjin për ndarjet buxhetore, i cili pritet të jetë 2.7 miliardë për vitin 2022.

Murati, duke iu referuar të dhënave nga ASK-ja, ka thënë se brutoprodukti vendor gjatë gjysmës së parë të vitit 2021 ka shënuar një rritje mesatare prej 10,5%”.

“Kjo rritje është në linjë me pritjet tona për rimëkëmbje të theksuar ekonomike pas lehtësimit të masave kufizuese të ndërmarra në kuadër të pandemisë COVID-19 dhe reflekton efektin bazë të rënies së ndjeshme në tremujorin e dytë në vitin e kaluar dhe intensitetin e faktorëve që kanë ushqyer rritjen në gjysmën e parë të vitit 2021”, ka thënë Murati, transmeton Zeri.info.

Sipas tij, kjo rritje konfirmon se ekonomia e Kosovës është rikuperuar pas dëmit që ia shkaktoi pandemia COVID-19.

Megjithatë magnituda e rritjes ekonomike ka rezultuar ndjeshëm më e lartë sesa pritjet fillestare. Rritja e deritashme konfirmon se ekonomia e Kosovës ka rikuperuar pothuajse plotësisht humbjet e shkaktuara nga pandemia në aktivitetin ekonomik”.

“Sipas vlerësimeve tona më të fundit, ekonomia e Kosovës gjatë vitit aktual pritet të rritet në mënyrë dyshifrore, pra në 10% në terma realë, ndërsa 12,2% në terma nominalë, duke lënë pas recesionin ekonomik të vitit të kaluar”, ka thënë Murati para deputetëve. /Zëri