ZRRE-ja pranon vendimin e Apelit, pezullon ekzekutimin e tarifave të shtrenjta të energjisë

ZRRE-ja pranon vendimin e Apelit, pezullon ekzekutimin e tarifave të shtrenjta të energjisë

Ekonomia May 20, 2022 - 22:34

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit për pezullimin e vendimit për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike.

Kështu që faturat e reja do të vijnë me tarifa të vjetra, para se të shtrenjtoheshin në shkurt.

“ZRRE-ja më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses. Si pasojë e gjendjes së krijuar, Bordi i ZRRE-së me datë 20 maj 2022, në Seancën e jashtëzakonshme, ka nxjerr vendim, me të cilin shtyhet ekzekutimi i Vendimit V_1489_2022 i datës 08.02.2022, sipas Aktvendimit AA.nr.364/2022 të Gjykatës së Apelit”.

Kujtojmë se me krizën globale të energjisë elektrike, ZRRE-ja kishte vendosur një bllok tarifë me të cilën shtrenjtohej rryma për ata që kalonin 800megavat, teksa Qeveria e Kosovës pati ndarë mbi 100 milionë euro për të ndihmuar në kalimin e krizës. /klankosova