Aprovohet plani i zbatimit për të rinjtë që nuk janë të punësuar

Aprovohet plani i zbatimit për të rinjtë që nuk janë të punësuar

Ekonomia May 24, 2022 - 12:27

Ministria e Financave ka njoftuar se sot në takimin ministror është aprovuar Plani i Zbatimit për Skemën e Garantuar për të Rinj, që ka për qëllim zvogëlimin e numrit të të rinjve që nuk janë në punësim, shkollim ose trajnim, si dhe sigurimin e një oferte për punësim për të gjithë personat (15-29 vjeç) brenda katër muajve që deklarohen si punëkërkues.

Sipas njoftimit nga Ministria, si hap fillestar plani parasheh përmirësimin e cilësisë së edukimit profesional, rritjen e numrit të profileve të ofruara nga qendrat për edukim profesional, si dhe akreditimin e tyre, zgjerimin e mundësive të të mësuarit nga praktika, ofrimin e edukimit profesional për të rritur, si dhe njohjen e mësimit paraprak.

“Në këtë linjë, paralelisht me ndërhyrjet në sistemin e edukimit profesional, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë zgjerimin e kapaciteteve të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës dhe rritjen e efektivitetit të shërbimeve të ofruara nga kjo Agjenci, duke inkuadruar edhe shërbime të reja si psh. orientimi në karrierë”, thuhet në njoftim.

Pas kësaj, Ministria do të ridizajnojë Masat Aktive të Tregut të Punës për të siguruar mbulueshmëri të një numri më të madh veçanërisht të personave joaktivë dhe atyre të dekurajuar. /Zëri