OAK-u Qeverisë: Ke bllokuar qindra biznese dhe mijëra vende pune

OAK-u Qeverisë: Ke bllokuar qindra biznese dhe mijëra vende pune

Ekonomia May 25, 2022 - 12:37

Oda e Afarizmit të Kosovës u është drejtuar sot me një shkresë kryeministrit Kurti, zëvendëskryeministrit Bislimi, ministrit Peci, ministrit Aliu e KPMM-së për të shprehur shqetësim të thellë për moskoordinimin e institucioneve të Kosovës, si rezultat i së cilës janë bllokuar qindra biznese dhe mijëra vende pune.

Përmes këtij njoftimi, OAK-u ka kërkuar nga kryeministri dhe ministrat përkatës që me urgjencë të zhbllokojnë këto biznese, në mënyrë që të mos vijë deri te një kolaps zinxhiror dhe të shkaktohen humbje të jashtëzakonshme për bizneset, të punësuarit dhe të hyrat për vendin, raporton Zeri.info.

“Ky reagim vjen si rezultat i mospërgjigjes së institucioneve të Kosovës, respektivisht MBPZHR-së, MMPHI-së dhe KPMM-së, që Oda ka një kohë të gjatë që është duke kërkuar takime qoftë individuale ose edhe të përbashkëta, në mënyrë që qindra kërkesa të cilat janë depozituar tash e një kohë të gjatë të trajtohen dhe të lejohet vazhdimi i punës për këto biznese”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, OAK-u ka kërkuar edhe një herë nga ministri Peci, ministri Aliu e KPMM-ja tashmë edhe publikisht një takim urgjent për trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve.

“Problemi kryesor qëndron te mosvazhdimi i pëlqimeve dhe kontratave nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës dhe pëlqimeve dhe lejeve mjedisore nga MMPHI-ja, si rezultat i të cilave është bllokuar edhe KPMM-ja”, thuhet në njoftim.

OAK-u dhe bizneset janë të gatshme dhe në pritje që çdo kohë të takohen për trajtimin dhe zgjidhjen e problemit. /Zëri