Fokusi i blegtorëve në ferma të mëdha rrit kërkesën për kushte më të mira
Meraklinjtë e mbarështimit të gjedhëve në Komunën e Suharekës, si Avni Gashi, kanë arritur t`i përmirësojnë kushtet në stallat e bagëtive. Ky fermer kujdeset për mbi 90 krerë lopë qumështore, si dhe 34 viça.
Ai thotë se investimi është bërë kryesisht me mjete vetanake, por menaxhimi i një numri kaq të madh bagëtish mbetet sfidë e vazhdueshme.
“Shumë më shumë kanë punë, këto duan çdo ditë, nuk kanë as festa; 24 orë kanë punë. Kemi kapacitete, por ka edhe ferma më të mëdha se unë. Unë nuk jam fermer i madh, por i mesëm jam, diku 100 krerë lopë. Me i menaxhu kogja është problem, sepse ushqimi është i shtrenjtë, nafta dhe të gjitha janë në rritje. Por mirë, nuk është për ankesa, mirë jemi”, ka thënë Gashi.
Për fermën kujdesen kryesisht familjarët, thotë Gashi, i cili menaxhon edhe një plantacion me arra.
“Përafërsisht i kemi rreth 9 punëtorë: gra, nuset dhe edhe katër gra të tjera, si dhe rreth 10 kushërinj. Pra, gjithsej rreth 10 punëtorë i kemi kryesisht në fermë. Ata merren edhe me arrat, për punët që kemi si lëvrimi, spërkatja e arrave dhe të gjitha. Mjaftueshëm i kam këto 93 deri në 100 krerë lopë, nuk kemi nevojë për më shumë”, ka shtuar ai.
Drejtori i Bujqësisë, Armend Krasniqi, thotë se fermerët e Suharekës po mbështeten përmes subvencionimit të qumështit.
“Kryesisht në sektorin e qumështit bëjmë mbështetjen apo subvencionimin e litrit të qumështit me 3 centë, ndërsa në sektorët e tjerë ende nuk e kemi definuar, pasi jemi në fazën fillestare të përgatitjes së planit se si do të zhvillohen procedurat e mëtejshme për pemëtari, perimtari e të tjera”, ka thënë Krasniqi.
Sipas drejtorit të Bujqësisë, veçori e Komunës së Suharekës është se çdo ditë e më shumë po rritet numri i grave që merren me bujqësi.
“Komuna e Suharekës i ka të regjistruar rreth 4 mijë fermerë. Numri i fermereve gra, normalisht, është më i vogël, mirëpo Komuna e Suharekës, për dallim nga komunat e tjera, ka më shumë gra fermere si iniciatore për të ndërmarrë dhe për të punuar në bujqësi, ku kemi gra që udhëheqin ferma, qoftë të lopëve apo të perimeve”, ka shtuar Krasniqi.
Fermerët thonë se produktiviteti i fermave të mëdha në kushtet që ofron Kosova nuk mund të mbahet pa mbështetje institucionale. Prandaj, subvencionimi përmes granteve qeveritare konsiderohet i domosdoshëm për funksionimin normal të tyre./rtk