Nga dy produkte në 43, Fahrije Hoti rrëfen rrugëtimin e ndërmarrjes “Krusha”
Historia e ndërmarrjes “Krusha” nuk është vetëm një histori mbijetese, por edhe një shembull i qartë i rritjes së qëndrueshme në biznes, që nga fillimet modeste deri te një gamë e gjerë produktesh në treg.
Fahrije Hoti tregon se si gjithçka nisi me shumë pak, por me një ide të qartë dhe punë të vazhdueshme.Fillimisht, prodhimi ishte i kufizuar dhe simbolik, duke u fokusuar vetëm në disa produkte bazë të përgatitura në kushte të thjeshta.
“Çdo shtator merrshim telefonata të panumërta: a keni bo hajvarë?… kjo na ka obligu me hi me punu”, ka treguar Hoti.
Ky moment shënoi kthesën nga një aktivitet simbolik në një proces të mirëfilltë prodhimi.
Gradualisht, ndërmarrja nisi të zgjerojë gamën e produkteve, duke kaluar nga vetëm dy produkte fillestare në një ofertë që sot përfshin 43 produkte të ndryshme.
“Dy lloj specash kanë qenë në atë kohë ka qenë sumborki, me lakra, me kos dhe i hapur njëjtë ka qenë edhe speci babur i padjegëst me të njëjtit përbërës ka qenë edhe speci i hajvarit por turshi. Tash i kemi 43 produkte që i kemi në treg”, ka thënë Hoti.
Ajo ka treguar edhe një sukses tjetër të rritjes së kapaciteteve prodhuese.
“Kapacitetit deri sot që kemi nis me një kilogramë ka arrit në 1 milionë e 200 mijë kile”, ka thënë Hoti, duke shtuar se sot 80% e punës së tyre eksportohet.
Sot, ndërmarrja “Krusha” përfaqëson jo vetëm një histori suksesi në biznes, por edhe një model të fuqizimit ekonomik të grave.