Oda Amerikane kritikon vendimin për 100 eurot: Nuk sjellin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik

Oda Amerikane kritikon vendimin për 100 eurot: Nuk sjellin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik

Ekonomia May 22, 2026 - 11:31

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin për, siç thuhet, varësinë në rritje nga masat e njëhershme të mbështetjes financiare si përgjigje ndaj sfidave ekonomike dhe inflacionit.

Në një reagim publik, Oda Amerikane thekson se mbështetja për kategoritë e cenueshme dhe ruajtja e fuqisë blerëse janë të rëndësishme, por masat e përkohshme financiare ofrojnë vetëm lehtësim afatshkurtër dhe nuk adresojnë problemet strukturore të ekonomisë.

Sipas saj, politikat që fokusohen kryesisht në stimulimin e konsumit afatshkurtër kanë ndikim të kufizuar afatgjatë, sidomos në një ekonomi si ajo e Kosovës, ku rritja e konsumit shpesh përkthehet në rritje të importeve dhe jo të prodhimit vendor apo investimeve.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson fuqishëm se masat të cilat fokusohen kryesisht në stimulimin e konsumit afatshkurtër rrezikojnë të prodhojnë ndikim të kufizuar afatgjatë ekonomik”, thuhet në reagim.

Tutje, Oda Amerikane vlerëson se fondet publike duhet të orientohen drejt investimeve strategjike në infrastrukturë, energji, digjitalizim, arsim dhe zhvillim të fuqisë punëtore, pasi këto politika krijojnë kushte më të favorshme për rritjen e sektorit privat.

Sipas këtij institucioni, fuqizimi i sektorit privat sjell efekte më të qëndrueshme për qytetarët përmes krijimit të vendeve të reja të punës, rritjes graduale të pagave dhe përmirësimit të kushteve të punës.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rithekson se prosperiteti i qëndrueshëm arrihet përmes politikave që forcojnë bazat ekonomike dhe krijojnë një mjedis ku bizneset mund të zhvillohen”, thuhet në reagim. /Zëri