Defekt teknik në TC Kosova A, KEK-u ndal njësinë A3 për sanim
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se, për shkak të rrjedhjeve të evidentuara në sistemin gypor të kaldajës së njësisë A3 në Termocentralin Kosova A, është vendosur që kjo njësi t’i nënshtrohet ndalimit të kontrolluar sonte, rreth orës 00:00.
Sipas njoftimit thuhet se, vendimi është marrë nga menaxhmenti dhe stafi profesional i Termocentralit Kosova A pas monitorimit të vazhdueshëm të gjendjes teknike dhe vlerësimit se vazhdimi i operimit mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha në pajisje, raporton Zeri.info.
“Për këtë arsye, ndalimi do të realizohet në mënyrë të planifikuar dhe në përputhje me standardet teknike dhe të sigurisë operative. Ekipet e mirëmbajtjes janë në gatishmëri të plotë dhe, sapo të krijohen kushtet për ndërhyrje të sigurt, do të fillojnë identifikimin dhe sanimin e rrjedhjeve me qëllim të rikthimit të njësisë në operim në afatin më të shkurtër të mundshëm”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
KEK-u ka bërë të ditur se, pas sanimit të rrjedhjeve të evidentuara në fund të muajit mars, njësia A3 ishte rikthyer në operim më 2 prill 2026 dhe kishte operuar në mënyrë të qëndrueshme për rreth 58 ditë.
Sipas Korporatës, thuhet se duke pasur parasysh vjetërsinë e njësisë dhe ngarkesën e vazhdueshme operative, ky rezultat dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e ekipeve të operimit dhe mirëmbajtjes.
Tutje, KEK-u thekson se, krahas investimeve modernizuese që po realizohen në Termocentralin Kosova B, mbetet i përkushtuar edhe në mirëmbajtjen dhe operimin e sigurt të kapaciteteve ekzistuese gjeneruese në Termocentralin Kosova A.
KEK-u njofton se do të vazhdojë ta informojë opinionin publik për ecurinë e punimeve dhe rikthimin e njësisë A3 në operim. /Zëri