KGS dhe CEO SHPK nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për nxitjen e investimeve dhe partneriteteve ekonomike
Komuniteti i Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane (KGS) dhe CEO SHPK kanë nënshkruar të enjten një Memorandum Bashkëpunimi, me synimin për të forcuar lidhjet ekonomike ndërmjet Kosovës, diasporës shqiptare dhe komunitetit ndërkombëtar të biznesit.
Sipas njoftimit, partneriteti synon krijimin e mundësive të reja për investime, bashkëpunim ekonomik, shkëmbim përvojash dhe zhvillim të rrjeteve profesionale, duke shfrytëzuar potencialin e bizneseve shqiptare në Kosovë, Gjermani, Zvicër dhe vende të tjera.

Marrëveshja parasheh bashkëpunim në organizimin dhe promovimin e forumeve ekonomike, panaireve, konferencave, takimeve B2B dhe aktiviteteve të tjera që synojnë lidhjen e sektorit privat me investitorët dhe institucionet relevante.
Po ashtu, bizneset anëtare të KGS-së pritet të kenë mundësi të zgjeruara për promovim, rrjetëzim dhe pjesëmarrje në ngjarje ekonomike në Kosovë dhe rajon.

Presidenti i KGS-së, Shkelzen Jusaj, ka deklaruar se ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në afrimin e diasporës me mundësitë ekonomike në Kosovë dhe në krijimin e partneriteteve të qëndrueshme që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ndërkaq, drejtori i CEO SHPK, Bekim Xhafa, ka vlerësuar se marrëveshja do të ndihmojë në zgjerimin e rrjetit të partnerëve strategjikë dhe në krijimin e platformave konkrete që lidhin bizneset, investitorët dhe profesionistët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Sipas palëve, memorandumi riafirmon angazhimin e përbashkët për rritjen e investimeve, promovimin e sipërmarrjes dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik afatgjatë.

