ATK: Qytetarët mund të ankohen nëse u është refuzuar mbështetja nga Pakoja për përballje me inflacionin
Ekonomia
June 16, 2026 - 15:44
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se qytetarët të cilëve u është refuzuar aplikimi për përfitim nga Pakoja për përballje me inflacionin 2.0 kanë të drejtë të paraqesin ankesë.
Sipas njoftimit, ankesa mund t’i drejtohet Komisionit të Ankesave në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve brenda afatit prej 30 ditësh nga data e pranimit të vendimit për refuzimin e aplikimit.
ATK-ja ka bërë të ditur se formulari për paraqitjen e ankesës mund të plotësohet në mënyrë elektronike përmes platformës së dedikuar për parashtrimin e ankesave.
Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë afatin ligjor dhe të sigurohen që ankesa të dorëzohet me dokumentacionin e nevojshëm për shqyrtim.