Deficiti tregtar i Kosovës rritet për 4%, eksportet mbulojnë importin me 14.7%

Deficiti tregtar i Kosovës rritet për 4%, eksportet mbulojnë importin me 14.7%

Ekonomia June 24, 2026 - 11:43

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të fundit mbi rrjedhat e tregtisë së jashtme për muajin maj 2026, të cilat tregojnë rritje të deficitit tregtar dhe rritje të vlerës së shkëmbimeve tregtare.

Sipas ASK-së, deficiti tregtar në muajin maj 2026 ka arritur në 544.4 milionë euro, që paraqet rritje prej 4.0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishte 523.4 milionë euro. Ndërkohë, eksportet kanë mbuluar importet me 14.7%, transmeton Zeri.info.

Në këtë periudhë, eksportet e mallrave kanë arritur vlerën 94.1 milionë euro, duke shënuar rritje prej 15.7% krahasuar me majin e vitit të kaluar. Në anën tjetër, importet janë rritur në 638.6 milionë euro, që paraqet rritje prej 5.6% në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Sipas strukturës së eksporteve, metalet bazë dhe artikujt prej tyre zënë peshën më të madhe me 27.5%, pasuar nga plastika dhe goma me 11.1%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 10.7%, si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.9%.

Në anën e importeve, dominon importi i produkteve minerale me 15.2%, ushqimeve të përgatitura, pijeve dhe duhanit me 12.6%, makinerive dhe pajisjeve mekanike dhe elektrike me 12.0%, si dhe mjeteve të transportit me 11.7%.

Sa i përket partnerëve tregtarë, eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian kanë arritur në 30.8 milionë euro, ose 32.7% të eksporteve totale, me rritje prej 6.3%. Partnerët kryesorë në BE mbeten Gjermania, Italia dhe Holanda.

Eksportet drejt vendeve të CEFTA-s kanë arritur në 43.1 milionë euro, që përbëjnë 45.7% të totalit, me rritje prej 24.6%, ku kryesojnë Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.

Ndërsa eksportet drejt vendeve të tjera janë regjistruar në 20.3 milionë euro, me Zvicrën dhe Turqinë si partnerët kryesorë.

Në anën e importeve, 47.2% vijnë nga vendet e BE-së, 13.4% nga CEFTA dhe 39.5% nga vendet e tjera, ku veçohen Kina dhe Turqia si furnizues kryesorë.

ASK thekson se këto të dhëna reflektojnë dinamikat e vazhdueshme të tregtisë së jashtme të Kosovës dhe strukturën e saj import-export për muajin maj 2026. /Zëri