Hajdari: Reformat në sektorin e naftës po sfidojnë monopole të vjetra
Ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave lidhur me reformat në sektorin e naftës, duke i cilësuar ato si një “fushatë të koordinuar shpifjesh” që, sipas saj, synon të mbrojë interesat e grupeve monopoliste dhe korruptive.
Në një reagim publik, Hajdari tha se ndryshimet ligjore të miratuara gjatë mandatit të saj në Qeverinë Kurti 2 kanë rikthyer kontrollin shtetëror mbi cilësinë e produkteve të naftës dhe kanë vendosur standarde të reja në përputhje me praktikat evropiane.
“Reformat në treg dhe sundimi i ligjit nuk ndalen nga shpifjet e atyre që mbrojnë monopolet e vjetra korruptive. Ditët e fundit kemi parë një fushatë të koordinuar shpifjesh nga portale që po përpiqen të mbrojnë interesat e grupeve të caktuara, duke keqinformuar opinionin publik për reformat ligjore që i sollëm përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të cilat rikthyen kontrollin dhe testimin e cilësisë së produkteve të naftës në përputhje me standardet më të larta të cilësisë”, ka shkruar Hajdari.
Sipas saj, sulmet ndaj këtyre reformave lidhen me interesat e atyre që, për vite me radhë, kanë përfituar nga mungesa e kontrollit institucional.
“Këto sulme nuk janë të rastësishme. Ato vijnë pikërisht sepse reformat tona po godasin interesat e atyre që për vite kanë përfituar nga mungesa e rregullit, konkurrencës dhe mbikëqyrjes shtetërore. Këto praktika kanë sjellë fitime të paligjshme dhe kanë krijuar skema monopoliste që, në thelb, kishin privatizuar funksione jetike të shtetit”, u shpreh ajo.
Hajdari tha se me Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, si dhe me aktet nënligjore, është ndërtuar një sistem i ri i kontrollit të cilësisë, duke hedhur poshtë pretendimet se janë larguar mekanizmat e inspektimit.
“Pretendimet e publikuara nga disa portale për kinse ‘largimin e trupave inspektuese’ nuk qëndrojnë. Sot produktet e importuara të naftës kontrollohen nga Dogana e Kosovës, ndërsa mostrimi vazhdon të kryhet nga trupat për vlerësim të konformitetit të autorizuar sipas legjislacionit në fuqi. Për tregun e brendshëm, mostrat merren nga inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ndërsa testimi i cilësisë kryhet në laboratorin profesional, të akredituar dhe të pajisur me teknologjinë më moderne shtetërore në kuadër të Doganës së Kosovës”, deklaroi ajo.
Ish-ministrja renditi edhe rezultatet që, sipas saj, janë arritur falë reformave në këtë sektor.
“98 për qind e pikave të shitjes së produkteve të naftës janë të licencuara. Kohëzgjatja e lejeve është zgjatur nga dy në gjashtë vjet. Tarifat janë ulur nga 500 deri në 5 mijë euro në vetëm 50 euro për të gjitha llojet e lejeve. Testimet e cilësisë kryhen në laboratorin shtetëror të Doganës pa asnjë kosto financiare për bizneset, ndërsa katër rafineri që nuk plotësonin standardet janë mbyllur”, theksoi Hajdari.
Ajo shtoi se keqpërdorimet në sektorin e naftës janë objekt i proceseve gjyqësore dhe përmendi se një ish-ministër është dënuar lidhur me çështje që kanë të bëjnë me mostrimin për testimin e cilësisë së naftës.
“Është fakt se keqpërdorimet në sektorin e naftës janë objekt i proceseve gjyqësore në vazhdim. Pikërisht për keqpërdorimet lidhur me mostrimin për testim të cilësisë së naftës, rishtazi është dënuar nga gjykata një nga ish-ministrat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Sa u përket insinuatave për hetimet e fundit, i siguroj qytetarët se autoritetet tona kanë qenë në kontroll të plotë të situatës. Nën udhëheqjen tonë institucionet nuk kanë bashkëpunuar me kriminelët, por i kanë hetuar dhe arrestuar ata”, tha Hajdari.
Ajo theksoi se reformat në tregun e naftës do të vazhdojnë dhe paralajmëroi veprime ligjore ndaj, siç i quajti ajo, shpifjeve dhe dezinformatave.
“Reformat tona për një treg të rregullt, të sigurt dhe me standarde evropiane nuk kthehen prapa. Draftet e finalizuara nga MINT do ta avancojnë më tej reformën në tregtimin dhe mbikëqyrjen e cilësisë së produkteve të naftës, me synim rritjen e sigurisë së konsumatorëve dhe forcimin e konkurrencës së ndershme. Për çdo shpifje dhe dezinformatë që cenon punën e institucioneve dhe synon të mbrojë interesat e paligjshme, do të ndiqen rrugët ligjore, sepse interesi i qytetarëve dhe i Republikës së Kosovës është mbi çdo interes privat”, shtoi Hajdari.
=