Korrje të mbara në Shtime, rendimenti i grurit deri në gjashtë mijë kg për hektar
Muajt e verës shënojnë një nga periudhat më të rëndësishme për bujqësinë, ndërsa në komunën e Shtimes fushata e korrje-shirjeve ka hyrë në fazën më intensive.
Fermerët dhe autokombajnat janë angazhuar në mbledhjen e prodhimit të grurit, ndërsa sipas Komisionit Komunal për Monitorimin e Fushatës së Korrje-Shirjeve, procesi po zhvillohet sipas planifikimeve.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë korrur 279 hektarë me grurë dhe 60 ari me elb, ndërsa rendimenti i grurit sillet nga 5 mijë deri në 6 mijë kilogramë për hektar.
Kryetari i Komisionit Komunal për Monitorimin e Fushatës së Korrje-Shirjeve, Bajram Gashi, tha se rezultatet e këtij sezoni janë shumë pozitive.
"Sot jemi këtu bashkërisht me njerëzit e kësaj toke, fermerë e bujq, për të ndarë lajme të mira për bujqësinë tonë. Falë punës së palodhshme të fermerëve dhe kushteve klimatike të favorshme, këtë vit janë shënuar rendimente më të larta dhe cilësi më e mirë e grurit, duke arritur nga 5 mijë deri në 6 mijë kilogramë për hektar", tha Gashi.
Ai bëri të ditur se komisioni ka qenë vazhdimisht në terren për të monitoruar procesin e korrjeve dhe se deri më tani nuk është shënuar asnjë incident.
"Që nga dita e themelimit të komisionit jemi në terren duke monitoruar gjendjen. Vëmendje e veçantë i është kushtuar zbatimit të masave të sigurisë dhe deri tani gjithçka ka kaluar pa incidente", u shpreh ai.
Në kuadër të monitorimit, komisioni ka inspektuar edhe dy pika grumbulluese të grurit për të verifikuar standardet e sigurisë, kapacitetet e deponimit, kalibrimin e peshoreve dhe testimin e lagështisë së grurit. Monitorimi do të vazhdojë deri në përfundim të fushatës.
Nga ana tjetër, fermeri Skënder Hyseni, njëherësh pronar i një autokombajne, tha se këtë vit prodhimi dhe cilësia e grurit janë dukshëm më të mira se vitin e kaluar.
"Këtë vit po punojmë me më shumë vullnet për shkak të rendimenteve që po marrim. Edhe cilësia e grurit është shumë më e mirë se vitin e kaluar. Kushtet klimatike kanë ndikuar që prodhimi të jetë më i lartë dhe më cilësor", tha Hyseni.
Megjithatë, ai theksoi se fermerët vazhdojnë të përballen me vështirësi, sidomos për shkak të çmimit të lartë të naftës dhe problemeve në grumbullimin e grurit.
"Nafta ka pasur çmim shumë të lartë këtë vit dhe nuk kemi mbështetje për këtë. Po ashtu kemi pasur vështirësi me grumbullimin e grurit. Që tre - katër ditë mullinjtë u mbyllën dhe fermerët nuk kanë ku ta dorëzojnë prodhimin. Kërkojmë që çmimet e grumbullimit të bëhen publike me kohë dhe të ketë mbështetje më të madhe për fermerët, veçanërisht për uljen e kostos së naftës", deklaroi Hyseni.
Autoritetet komunale vlerësojnë se rendimentet prej 5 deri në 6 tonë për hektar dhe cilësia e lartë e grurit janë tregues pozitivë për bujqësinë në Shtime, ndërsa apelojnë që fermerët të vazhdojnë të respektojnë rekomandimet dhe masat e sigurisë deri në përfundim të fushatës së korrje-shirjeve. /rtk