Deficiti tregtar i Kosovës rritet në 578.3 milionë euro, eksportet mbulojnë vetëm 15% të importeve
Deficiti tregtar i Kosovës ka shënuar rritje prej 16,1 për qind gjatë muajit qershor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 578.3 milionë euro. Në këtë periudhë, eksportet kanë mbuluar vetëm 15 për qind të importeve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), eksporti i mallrave në qershor arriti në 102 milionë euro, duke shënuar rritje prej 26,9 për qind në baza vjetore, ndërsa importi u rrit me 17,6 për qind, në 680.3 milionë euro, transmeton Zeri.info.
Sa i përket strukturës së eksporteve, pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 27,4 për qind, pasuar nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12,7 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10,6 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8,7 për qind dhe produktet minerale me 7,1 për qind.
Ndërkohë, në import dominojnë produktet minerale me 15,2 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 13 për qind, mjetet e transportit me 12 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11,9 për qind, si dhe metalet bazë me 9,8 për qind.
Vendet e Bashkimit Evropian mbeten partneri kryesor tregtar i Kosovës. Gjatë qershorit, eksportet drejt BE-së arritën në 32.5 milionë euro, ose 31,9 për qind të eksporteve totale, ndërsa importet nga BE-ja ishin 304.9 milionë euro, që përbëjnë 44,8 për qind të importeve të përgjithshme. Partnerët kryesorë të eksportit ishin Gjermania, Holanda dhe Italia, ndërsa importet kryesisht erdhën nga Gjermania, Italia dhe Polonia.
Eksportet drejt vendeve të CEFTA-s arritën në 44 milionë euro, ose 43.1 për qind të eksporteve të përgjithshme, ndërsa importet nga këto vende ishin 98.7 milionë euro, që përfaqësojnë 14.5 për qind të importeve totale. Partnerët kryesorë në këtë grup ishin Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.
Sa u përket vendeve të tjera, eksportet arritën në 25.5 milionë euro, me Zvicrën dhe Turqinë si destinacionet kryesore, ndërsa importet ishin 276.7 milionë euro, ku pjesën më të madhe e zënë Kina dhe Turqia. /Zëri