Transparenca buxhetore në komunat e Kosovës shënon progres, por dallimet mbeten të mëdha
Foto: Laura Hasani

Transparenca buxhetore në komunat e Kosovës shënon progres, por dallimet mbeten të mëdha

Ekonomia August 16, 2026 - 15:05

Transparenca buxhetore në komunat e Kosovës ka shënuar progres, por rezultatet e fundit tregojnë se ende ekzistojnë dallime të mëdha mes pushteteve lokale.

Indeksi i Transparencës Buxhetore për komunat e vendit i publikuar më katër gusht nga Instituti GAP evidenton rritje të publikimit të dokumenteve buxhetore, por një pjesë e komunave vazhdojnë të mbeten prapa.

Hulumtuesja e Institutit GAP, Albana Rukolli, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ky institucion e realizon këtë analizë që nga viti 2017, duke vlerësuar publikimin e 14 dokumenteve, përfshirë edhe organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë.

“Indeksi i Transparencës Buxhetore është një dokument i cili analizon transparencën e buxhetit në nivel të komunave. Instituti GAP e bën këtë analizë që nga viti 2017, ku mat nivelin e transparencës në nivel lokal, dhe vlerëson komunat për publikimin ose mos-publikimin e dokumenteve buxhetore. Këtu është një listë prej 14 dokumenteve, përfshirë edhe dëgjimet buxhetore. Domethënë, komunat vlerësohen nëse i publikojnë raportet vjetore financiare, raportet tremujore, raportin vjetor financiar, pastaj janë edhe dokumentet buxhetore (domethënë, planifikimi buxhetor për vitin e ardhshëm), si dhe gjithashtu e shohim nëse kanë organizuar ndonjë dëgjim buxhetor me qytetarët”, tha ajo.

Sipas Rukollit, qëllimi kryesor i transparencës buxhetore është rritja e llogaridhënies së komunave ndaj qytetarëve dhe taksapaguesve.

“Qëllimi i transparencës buxhetore është që komunat të jenë sa më llogaridhënëse, të nxisin llogaridhënie te taksapaguesit. Domethënë, nëse e krahasojmë vitin kur kemi filluar, prej vitit 2016 deri në vitin 2025 që është viti i fundit i vlerësimit, e shohim që komunat kanë pasur progres shumë të madh. Ajo çfarë ka ndikuar, është kryesisht publikimi i dokumenteve buxhetore në kuadër të indeksit dhe përmirësimi i formatit në të cilin ato i publikojnë. Në këtë rast, mesatarja e pikëve të indeksit për komunat që kanë arritur t’i përmbledhin është 65.5%, që nëse e krahasojmë me vitin 2024 ka qenë 61.4%, mirëpo në fillim krejt ka qenë 42.1%”, u shpreh Rukolli për Ekonomia Online.

Rukolli ka theksuar se në vitin e fundit të vlerësimit është shënuar numri më i lartë i komunave që kanë arritur pikët maksimale, ndërsa gjysma e komunave kanë kaluar pragun prej 90 pikësh.

“Në këtë rast, mund të themi që ky vit ka qenë numri më i lartë i komunave të cilat i kanë arritur pikët maksimale. Janë gjithsej 11 komuna që kanë arritur t’i marrin 100 pikë, nga 100 sa i ka gjithsej indeksi. Ndërkaq, 50% e komunave kanë arritur të marrin mbi 90 pikë, që domethënë se niveli i transparencës buxhetore te këto komuna është rritur shumë. Mirëpo, pjesa tjetër prej 50% është në nivel më të ulët. Sidomos janë 6 komuna, të cilat janë: Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani, të cilat nuk e kanë arritur as edhe një pikë. Gjithashtu e përmenda edhe Fushë Kosovën; Fushë Kosova gjithashtu ka pasur regres”, tha ajo.

Ajo ka sqaruar se rezultatet më të ulëta lidhen kryesisht me mos-publikimin e dokumenteve, ndërsa publikimi i tyre në formate të përshtatshme ua lehtëson qytetarëve dhe hulumtuesve qasjen në informacion.

“Mirëpo kjo vjen si rezultat i mospublikimit të shumicës prej këtyre dokumenteve. Ndërkaq, në momentin që komunat i kanë publikuar të gjitha dokumentet të cilat i përmban indeksi dhe i kanë kushtuar rëndësi edhe formatit, atëherë normal që qasja në këto dokumente është shumë më e lehtë edhe për hulumtim, edhe për analizë, e pastaj rritet domosdoshmërisht edhe besimi te qytetarët. Kjo nënkupton që nuk kanë çfarë të fshehin, ashtu siç e the edhe vetë. Mirëpo, kjo jo detyrimisht qëndron, për faktin që për shembull, një komunë mund t’i ketë të gjitha këto dokumente, mirëpo ndoshta nuk i publikon për shkak të neglizhencës, kapaciteteve të reduktuara në staf, ose kapaciteteve teknike”, tha ajo.

Hulumtuesja e GAP-it ka bërë të qartë se Indeksi i Transparencës Buxhetore nuk vlerëson përmbajtjen e dokumenteve, por nëse ato janë publikuar dhe në çfarë formati janë në dispozicion.

“Po. Në këtë rast me transparencën buxhetore është e nevojshme të bëhet një dallim: ne nuk ndalemi të analizojmë një dokument, ose ta auditojmë në njëfarë forme, por thjesht ndalemi të analizojmë nëse e ka publikuar për shembull një komunë raportin vjetor financiar. Nëse po, atëherë në këtë rast merr pikëzimin; në rast se jo, nuk merr pikë.

Por, përveç kësaj, i rëndësishëm është edhe formati në të cilin i kanë publikuar. Për shembull, formatet Word dhe Excel për dokumentet të cilat përmbajnë edhe të dhëna, vlerësohen me pikë maksimale. Ndërkaq, për dokumentet siç është “Rregullorja për ndarjen e subvencioneve”, edhe në momentin që është në ndonjë format tjetër si PDF, nuk ka rëndësi; pikët qëndrojnë të njëjta për shkak se është dokument tekstual”, tha ajo.

Në fund, Rukolli ka kërkuar që komunat të sigurojnë kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe teknike, ndërsa ka rekomanduar edhe rishikimin e bazës ligjore sa i përket dëgjimeve buxhetore.

“Është shumë e rëndësishme që komunat të sigurohen që të kenë kapacitetet njerëzore dhe teknike të nevojshme. Pastaj, është e nevojshme që edhe baza ligjore të rishikohet; është shumë e rëndësishme që për numrin e dëgjimeve buxhetore të caktohet një minimum më i lartë sesa që është momentalisht. Në këtë formë, qytetarët kanë mundësi që të kontribuojnë më shumë në proceset e planifikimit buxhetor, si dhe në të gjitha këto proceset e tjera të cilat lidhen në njëfarë mënyre me fondet publike, ku realisht ne si taksapagues kontribuojmë të gjithë”, tha në fund ajo.