Kurti e Murati vizitojnë Doganën, të hyrat arrijnë në 1.347 miliardë euro

Kurti e Murati vizitojnë Doganën, të hyrat arrijnë në 1.347 miliardë euro

Ekonomia September 04, 2026 - 13:29

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, kanë vizituar sot Doganën e Kosovës, e cila ditë më parë shënoi 27-vjetorin e themelimit.

Gjatë vizitës është diskutuar për punën dhe rezultatet e Doganës, me fokus në rritjen e të hyrave, luftimin e ekonomisë joformale, lehtësimin e tregtisë dhe modernizimin e administrimit doganor.

Sipas të dhënave të prezantuara, Dogana e Kosovës ka mbledhur deri tani gjatë këtij viti 1 miliard e 347 milionë euro të hyra, që paraqet një rritje prej 6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, transmeton Zeri.info.

Në kuadër të reformave për lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve, është përmbyllur shtetëzimi i terminaleve doganore, ndërsa deklarimi i mallrave para arritjes në pikën doganore ka kontribuuar në reduktimin e kohës së procesimit me rreth 70 për qind.

Dogana ka forcuar gjithashtu kontrollet kufitare dhe përdorimin e teknologjisë. Funksionalizimi i skanerit në Merdar ka rritur kapacitetet për identifikimin dhe parandalimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.

Ndërkohë, në kuadër të modernizimit të mëtejmë, po avancohen projekte si Dritarja e Vetme Kombëtare, Transiti i Përbashkët, automatizimi i proceseve dhe forcimi i kapaciteteve teknologjike të Doganës.

Me rastin e 27-vjetorit të themelimit, Kurti dhe Murati kanë shprehur mirënjohjen për zyrtarët doganorë për punën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të qytetarëve, ekonomisë dhe Republikës së Kosovës. /Zëri