AKP-ja shpalli rezultatet e shitjes së aseteve përmes likuidimit nr.75
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbajtur sot ceremoninë zyrtare të hapjes së ofertave për shitjen e aseteve përmes Likuidimit nr. 75, ku shpalli fituesit e përkohshëm për asetet e ndërmarrjeve shoqërore të përfshira në këtë proces.
Sipas njoftimit të AKP-së thuhet se, ceremonia u zhvillua në “Sallën e Konferencave” të Hotelit Grand në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00, raporton Zeri.info.
"Në prani të investitorëve, përfaqësuesve të mediave dhe publikut të gjerë u bë dorëzimi i ofertave, hapja publike e tyre dhe publikimi i rezultateve. Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt edhe në faqen zyrtare të Agjencisë: www.pak-ks.org, duke mundësuar ndjekjen në kohë reale për të gjithë qytetarët e interesuar. Për 38 asetet për të cilat u pranuan oferta, konkurruan 70 ofertues dhe vlera totale e ofertave më të larta arriti në 10,340,229 euro", thuhet në njoftimin e AKP-së.
Ndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit, e themeluar nga Kuvendi i Kosovës, vepron në të gjithë territorin e vendit dhe ka mandat të plotë për shitjen ose bartjen e aseteve dhe ndërmarrjeve shoqërore te investitorët privatë, përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe efikas.
Lista e plotë e rezultateve të ofertave është publikuar në ueb-faqen zyrtare të AKP-së: https://www.pak-ks.org/page.aspx?id=1,106. /Zëri
