BSPK-ja pret nga Qeveria hapa konkretë për të drejtat e punëtorëve
Foto: Laura Hasani

BSPK-ja pret nga Qeveria hapa konkretë për të drejtat e punëtorëve

Ekonomia September 13, 2026 - 19:20

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka mirëpritur konstituimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke shprehur pritjet që mandati i ri qeverisës të sjellë një bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve dhe partnerëve socialë.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, në emër të sindikatës, ka uruar konstituimin e Qeverisë, prezantimin e kabinetit qeveritar dhe të Programit Qeverisës.

BSPK ka vlerësuar pozitivisht zotimet e Qeverisë që lidhen me pozitën ekonomike dhe sociale të punëtorëve, veçanërisht pagën e 14-të për të punësuarit në sektorin publik dhe mos tatimin e pagës minimale prej 500 eurosh.

Megjithatë, sindikata ka theksuar se rëndësi të veçantë do t'i kushtohet zbatimit konkret të këtyre zotimeve.

“Për BSPK-në, rëndësia e këtyre zotimeve do të matet me zbatimin e tyre dhe me ndikimin real në jetën e të punësuarve”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.

Sindikatat kanë kërkuar gjithashtu që në ditët në vijim të përfundojë konstituimi i Këshillit Ekonomiko-Social (KES), duke e konsideruar funksionalizimin e tij si hap të domosdoshëm për avancimin e dialogut social.

Sipas BSPK-së, pas funksionalizimit të KES-it duhet të nisin pa vonesë negociatat për Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive.

“Pikërisht aty duhet të shihet fuqia e dialogut social dhe jo vetëm në zotime dhe takime, por në marrëveshje të negociuara, të nënshkruara dhe të zbatueshme”, thekson BSPK.

Kryetari Hykolli ka vlerësuar se demokracia funksionale nuk nënkupton vetëm krijimin e institucioneve, por edhe përfshirjen e përfaqësuesve legjitimë të punëtorëve në hartimin e politikave publike.

“Ky është standardi evropian i partneritetit social dhe ky duhet të jetë edhe drejtimi ynë”, shprehet Hykolli.

BSPK ka deklaruar se mbetet e gatshme për bashkëpunim me institucionet, duke synuar që dialogu social të prodhojë rezultate konkrete për punëtorët.

“Konkretizimi i KES-it dhe Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive të bëhen dëshmia më e qartë se partneriteti social po funksionon në dobi të punëtorëve dhe të zhvillimit të vendit”, përfundon komunikata e BSPK-së.