ATK-ja rikujton tatimpaguesit për afatet e deklarimit të librave të blerjes dhe shitjes
Foto: Laura Hasani

ATK-ja rikujton tatimpaguesit për afatet e deklarimit të librave të blerjes dhe shitjes

Ekonomia September 18, 2026 - 13:33

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar tatimpaguesit për obligimin e deklarimit të Librit të Blerjes dhe Librit të Shitjes, duke sqaruar afatet që duhet të respektohen nga tatimpaguesit në varësi të statusit të tyre tatimor.

Sipas njoftimit të ATK-së, tatimpaguesit që janë deklarues të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) duhet të bëjnë deklarimin e librave çdo muaj.

“Deklarimi bëhet çdo muaj, nga data 01 deri më 20 të muajit vijues, në të njëjtën periudhë me deklarimin e TVSH-së”, thuhet në njoftimin e Administratës Tatimore të Kosovës.

Ndërkaq, për tatimpaguesit që nuk janë deklarues të TVSH-së, duke përfshirë organizatat joqeveritare (OJQ), deklarimi bëhet në baza tremujore.

“Deklarimi bëhet çdo tre muaj, nga data 01 deri më 15 të muajit vijues pas përfundimit të tremujorit”, njofton ATK-ja.

Administrata Tatimore ka bërë të ditur gjithashtu se udhëzuesi dhe mostra për plotësimin e Librit të Blerjes dhe Librit të Shitjes janë të qasshme në ueb-faqen zyrtare të ATK-së.