Skanerët doganorë vonohen, pritet të arrijnë në fillim të vitit 2027
Skanerët doganorë, që ishte pritur të mbërrinin në vjeshtë për t’u vendosur në tri pika kufitare me Serbinë, do të mbërrijnë në fillim të vitit të ardhshëm. Vonesa e skanerëve, që janë donacion i Qeverisë Gjermane, sipas Ambasadës në Prishtinë, vjen për shkaqe teknike.
Është shtyrë për në fillim të vitit të ardhshëm arritja e skanerëve doganorë për pikat kufitare me Serbinë, një donacion i Qeverisë gjermane i paraparë për të lehtësuar kalimin e mallrave nga Serbia në Kosovë.
Ambasada Gjermane në Prishtinë i ka konfirmuar Radio Kosovës se donacioni, që ishte paraparë të mbërrinte në vjeshtë, për shkaqe teknike do të arrijë në muajt e parë të vitit të ardhshëm.
“Për shkak të kompleksitetit teknik të logjistikës dhe zinxhirit të furnizimit të përfshirë në këtë proces, dorëzimi i skanerëve pritet të bëhet gjatë tremujorit të parë të vitit 2027”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.
Prej dy vitesh, Qeveria ka kufizuar importin e mallrave nga Serbia në pikat kufitare, duke e zëvendësuar me kontroll të shtuar në pikën kufitare në Merdar, deri në instalimin e pajisjeve të skanimit.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, i ka thënë Radio Kosovës se vendosja e këtyre skanerëve modernë në pikat kufitare do të përbëjë një avancim të rëndësishëm në kapacitetet teknologjike dhe operative.
“Përdorimi i skanerit për momentin që e kemi në pikën kufitare në Merdar, donacion i SHBA-së, ka rritur sigurinë kufitare dhe ka avancuar dhe përshpejtuar procedurat doganore, duke mundësuar që kontrolli të orientohet saktë në dërgesat me nivel të lartë të riskut, normalisht me ndikim pozitiv edhe në lehtësimin e tregtisë legjitime”.
Stavileci tha se këta skanerë mundësojnë kontroll të shpejtë dhe shumë efikas të ngarkesave.
“Që nga vendosja e skanerit në Merdar në fillim të këtij viti, përdorimi ka bërë një mori zbulimesh, duke filluar nga një rast ku kemi pasur mbi 1 milion euro të fshehura, qindra kilogramë të substancave narkotike dhe dhjetëra raste të kundërvajtjeve komerciale të cilat skaneri i ka zbuluar”, shtoi Stavileci.
Donacioni gjerman në skanerë pasoi kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës që të hiqte kufizimin ndaj mallrave të Serbisë, me arsyen se po shkelte Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), dhe heqja e kufizimit në Merdar zhbllokoi punën e CEFTA-s.