BQK-ja forcon bashkëpunimin me Bankën Kombëtare të Kroacisë
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka zhvilluar misionin e parë dypalësh me Bankën Kombëtare të Kroacisë në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve financiarë dhe edukimit financiar.
Sipas njoftimit të BQK-së, misioni u zhvillua nga 22 deri më 24 shtator 2026, në kuadër të Programit të Bashkimit Evropian për Forcimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor, me qëllim të integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.
Gjatë takimit me ekspertët e Bankës Kombëtare të Kroacisë, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së konsumatorëve financiarë, transparencës së tregut dhe besimit të publikut në sistemin financiar.
Në kuadër të misionit u diskutuan praktikat evropiane për mbikëqyrjen e sjelljes në treg, trajtimin e ankesave, cilësinë e të dhënave, edukimin financiar dhe qasjen e bazuar në rrezik në mbikëqyrje.
Sipas njoftimit, zëvendësguvernatorja Nesrin Shileku Shala dhe ekipi i saj diskutuan me ekspertët kroatë për aspektet kryesore të projektit dhe progresin e tij.
BQK-ja shprehu mirënjohje për mbështetjen e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, Bankës Kombëtare të Kroacisë dhe Bashkimit Evropian, duke e vlerësuar bashkëpunimin si të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbikëqyrëse dhe për harmonizimin me standardet dhe praktikat evropiane.