ARKEP: Nga 1 tetori mund të ndërroni operatorin dhe ta ruani numrin e telefonit

ARKEP: Nga 1 tetori mund të ndërroni operatorin dhe ta ruani numrin e telefonit

Ekonomia September 29, 2026 - 08:10

Nga 1 tetori konsumatorët në Kosovë do të mundë të ndërrojnë operatorin e telefonisë dhe ta ruajnë numrin e tyre ekzistues, njofton Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Bartja e numrit do të jetë pa pagesë për përdoruesit.

Sipas ARKEP-it, konsumatorët nuk do të kenë nevojë të ndryshojnë numrin e telefonit edhe nëse kalojnë nga një operator në tjetrin.

Për procesin e bartjes nuk do të aplikohet tarifë nga operatori i vjetër apo operatori i ri.

Bartshmëria u mundëson konsumatorëve të zgjedhin operatorin që u përshtatet më shumë, pa pasur nevojë t’i njoftojnë kontaktet për ndryshimin e numrit.

Para se të kërkohet bartja, konsumatori duhet të sigurohet se numri është i regjistruar në emrin e tij.

Nëse numri është i regjistruar në emër të një personi tjetër, kërkohet autorizim i vlefshëm nga mbajtësi aktual i numrit.

ARKEP thekson se për numrat me faturim mujor, bartja e numrit nuk i anulon borxhet apo detyrimet kontraktuale ndaj operatorit të mëparshëm.

Borxhet e vonuara ose shërbimet e bllokuara mund të jenë arsye për refuzimin e kërkesës për bartje.

Ndërkaq, konsumatorët duhet t’i ruajnë kontaktet para ndërrimit të operatorit, pasi të dhënat e ruajtura në SIM-kartelën e vjetër nuk transferohen automatikisht.