Hargreaves: Biznesi dhe investimet, kapitulli i ri Kosovë - Britani
Foto: Laura Hasani

Hargreaves: Biznesi dhe investimet, kapitulli i ri Kosovë - Britani

Ekonomia October 08, 2026 - 10:49

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar Kosovën për zgjedhjen e presidentes së re, duke e cilësuar këtë si një mundësi për një fillim të ri dhe një epokë të re në zhvillimin e vendit.

Në një fjalim para përfaqësuesve të bizneseve, investitorëve dhe institucioneve, Hargreavesi ka thënë se Kosova duhet të lidhet edhe më fuqishëm me fqinjët evropianë dhe institucionet euroatlantike, jo vetëm në aspektin politik dhe të sigurisë, por edhe në atë ekonomik.

“Dhe më lejoni ta nis, kryeministër, duke e uruar Kosovën për zgjedhjen e presidentes së re. Jo vetëm për faktin se, me sa di unë, kjo është presidentja e tretë ose, sipas disa përllogaritjeve, e katërta grua që ka pasur Kosova. Pra, me sa di unë, ky është një rekord. Dhe kjo është gjithashtu një shembull fantastik për pjesën tjetër të botës. Por kjo është edhe një mundësi e jashtëzakonshme për një fillim të ri, një epokë të re në zhvillimin e Kosovës, të lidhur edhe më vendosmërisht, në aspektin ekonomik, politik dhe të sigurisë, me fqinjët tuaj evropianë dhe me institucionet euroatlantike”, ka deklaruar Hargreavesi.

Ambasadori britanik ka folur edhe për organizimin e takimit, duke thënë se aty janë mbledhur investitorë, drejtues biznesesh, sipërmarrës, përfaqësues të qeverisë dhe miq të Kosovës nga Mbretëria e Bashkuar dhe rajoni.

Ai ka vlerësuar veçanërisht rolin e diasporës kosovare në Britani, duke theksuar kontributin e saj në të dyja vendet.

“Kur njerëzit mendojnë për marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, guxoj të them se shpesh mendojnë fillimisht për sigurinë, politikën apo diplomacinë, dhe kjo është e kuptueshme. Sepse ne në Mbretërinë e Bashkuar jemi krenarë që kemi qëndruar përkrah Kosovës në momentet më të rëndësishme të historisë së saj. Dhe shumë kosovarë, përfshirë pa dyshim shumë prej jush që jeni këtu sot, kanë kujtime familjare për atë mbështetje dhe atë partneritet ndër vite”, ka thënë ai.

Hargreavesi ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk duhet të mbështeten vetëm në historinë e përbashkët, por duhet të zhvillohen edhe përmes bashkëpunimit ekonomik.

“Por, sigurisht, siç e dimë të gjithë, marrëdhëniet e mëdha nuk mund të mbështeten vetëm në histori. Ato vazhdojnë të zhvillohen dhe ushqehen nga e ardhmja. Dhe mendoj se jemi këtu sot sepse besojmë se kapitulli i ardhshëm i marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës duhet dhe do të jetë gjithnjë e më shumë i përqendruar te biznesi, investimet, inovacioni dhe prosperiteti i përbashkët për të dy popujt tanë”, është shprehur ambasadori britanik.

Sipas tij, diaspora kosovare në Mbretërinë e Bashkuar përbën një burim të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

“Diaspora kosovare në Mbretërinë e Bashkuar, e cila shpesh gjendet edhe këtu, përfshirë edhe sot, ka kontribuuar dhe vazhdon të kontribuojë jashtëzakonisht shumë për të dyja vendet tona. Shumë prej tyre mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar gjatë viteve të vështira dhe ndërtuan biznese, karriera dhe komunitete. Ata dhe fëmijët e tyre janë bërë sipërmarrës, inxhinierë, akademikë, mjekë, artistë, drejtues biznesesh, politikanë, e disa madje janë bërë edhe superyje me famë botërore”, ka deklaruar Hargreavesi.

Ai ka shtuar se pjesëtarë të diasporës po luajnë një rol të rëndësishëm në lidhjen e Kosovës me tregjet globale, duke investuar në Kosovë kohën, ekspertizën dhe kapitalin e tyre. /eo