Gërxhaliu: Bizneset dhe diaspora mund të jenë motor i rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës
Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka vlerësuar se komuniteti i biznesit dhe diaspora përbëjnë dy nga potencialet kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Gërxhaliu ka thënë se bizneset vendore kanë kaluar sfida të mëdha gjatë viteve të ’90-ta, duke krijuar përvojën e nevojshme për t’u përballur me vështirësitë e të bërit biznes.
“Besoj që fatbardhësia më e madhe e Kosovës është që e ka një komunitet të biznesit që si duket e ka kalu me sukses akademinë më të vështirë të të bërit biznes në vitet ’90-’99, dhe për ta nuk ka më pengesë”, tha Gërxhaliu.
"E dyta, kemi një diasporë e cila vërtet ka qenë, është dhe do të mbetet gjatë në Kosovë një arterie për zhvillim, mirëpo besoj që është koha kur duhet këtë kontribut, edhe të sektorit privat, edhe të diasporës, ta kthejmë në një platformë e cila do të rigjenerojë një rimëkëmbje ekonomike më të fuqishme për Kosovën ku krahas fitimit që do ta ketë Kosova dhe qytetarët e Kosovës, aty do ta gjejë veten edhe komunitetit biznesor edhe diaspora, sepse në fund të fundit Kosova është e të gjithëve dhe jo vetëm e partive politike sepse në fund politika jeton mu nga kontributi i bizneseve dhe diasporës”./klankosova