Kusari-Lila: Bashkëpunimi me Gjermaninë, i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të institucioneve gjermane, me të cilët ka diskutuar për avancimin e projekteve të përbashkëta dhe thellimin e bashkëpunimit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.
Në takim morën pjesë Dr. Micong Klimes, zyrtare e lartë për politika në Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Daniel Alker nga Ambasada Gjermane, Josephine Schmiereck nga zyra qendrore e GIZ-it, Markus Delfs, drejtor i GIZ-it në Kosovë, si dhe Edmond Gashi dhe Rudina Qerimi.
Kusari ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Gjermaninë për zhvillimin industrial, inovacionin dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset në Kosovë.
“Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, veçanërisht për asistencën teknike dhe ekspertizën në avancimin e politikave dhe legjislacionit në fushat që mbulon Ministria, si dhe për forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve”, ka shkruar Kusari në Facebook.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për projektin “Diaspora për Zhvillim” dhe mundësitë që ofron për nxitjen e investimeve dhe përfshirjen më të madhe të diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas saj, Forumi Ekonomik Kosovë-Gjermani, i organizuar këtë javë, është një shembull konkret i bashkëpunimit dhe një mundësi për krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet bizneseve dhe nxitjen e investimeve.
“Në vazhdim, do të punojmë së bashku për zhvillimin e ekosistemit të inovacionit në Kosovë, duke avancuar Fondin e Inovacionit në kuadër të Agjencisë së re për Inovacion dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren”, ka theksuar ajo.