Kurti paralajmëron koeficientin 120 euro nga korriku 2027
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e nëntë të Qeverisë së Kosovës, ka bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit të ardhshëm.
Kurti ka thënë se krahas kësaj rritjeje, nëpunësit publikë do të përfitojnë edhe pagën e 13-të, e cila është paraparë të realizohet në pjesën e parë të vitit 2027.
“Njësoj sikurse sivjet, buxheti i 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se buxheti i përgjithshëm për paga do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa sipas tij, kjo shumë, e ndarë për rreth 85 mijë punonjës të sektorit publik, paraqet një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh.
“Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliardë e 85 milionë euro, e që kur pjesëtohet me rreth 85 mijë punonjës të publikut, paga mesatare vjetore bruto rezulton mbi 12 mijë euro, apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj, gjë që nënkupton edhe përmbushjen e njërit nga premtimet tona për mandatin e radhës qysh në vitin e ardhshëm”, ka thënë Kurti.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se rritja e pagave nuk do të përfundojë me këtë ndryshim, por do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
“E sigurisht që rritja nuk ndalet me kaq, sepse do të vazhdojë secilin vit krahas rritjes”, ka deklaruar ai.
Gjatë fjalës së tij, Kurti është ndalur edhe te rritja ekonomike dhe planifikimet buxhetore për vitin 2027. Sipas tij, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.
“Sivjet, përkundër sfidave me të cilat po ballafaqohemi edhe ne, krahas gjithë botës, rritja ekonomike ka shënuar nivelet prej 5.4 dhe 4.1 për qind për tremujorin e parë dhe tremujorin e dytë përkatësisht. Kjo na vendoste vendet me rritjen më të shpejtë në rajon e më gjerë”, ka thënë Kurti.
Sa i përket buxhetit për vitin e ardhshëm, Kurti ka bërë të ditur se ai është projektuar në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, që sipas tij, është 200 milionë euro më i lartë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë sesa buxheti bazë i këtij viti.
“Për vitin 2027, buxheti i projektuar parasheh nivelin prej 4.27 miliardë euro, që është për 200 milionë euro më i lartë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe për 300 milionë euro më i lartë sesa buxheti bazë i vitit 2026”, ka deklaruar ai.
Kurti ka bërë të ditur gjithashtu se 908 milionë euro nga buxheti i planifikuar do të ndahen si financim direkt për komunat e Kosovës.
“E nga ky buxhet, 908 milionë euro do të shkojnë si financim direkt për komunat. Ky është buxhet rekord edhe për komunat e Kosovës dhe kjo rritje vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare”, ka thënë kryeministri. /eo
