Hoti kritikon Qeverinë: Po mashtron publikun me shifrat e investimeve kapitale
Foto: Laura Hasani

Hoti kritikon Qeverinë: Po mashtron publikun me shifrat e investimeve kapitale

Ekonomia November 09, 2026 - 11:30

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë aktuale për, siç thotë ai, dështimin në realizimin e investimeve kapitale dhe moszbatimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në vend.

Përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social në Facebook, Hoti ka vlerësuar se shifrat e larta të buxhetit të planifikuara për investime kapitale po përdoren nga qeveria vetëm për të krijuar përshtypjen e një pune të madhe, ndërsa në praktikë realizimi i projekteve mbetet shumë i ulët.

"Kjo qeveri po e mashtron veten dhe publikun me buxhet të madh të planifikuar për investime kapitale. Shifrat e larta të buxhetit po përdoren vetëm për krekosje me rastin e miratimit të buxhetit në Kuvend. Kur po vjen koha për të raportuar në Kuvend për realizimin e buxhetit, asnjë anëtar i qeverisë nuk del para deputetëve dhe qytetarëve të përgjigjet për dështimet në realizimin e projekteve".

Sipas tij, në gjashtë vjetët e fundit realizimi i investimeve kapitale ka qenë tejet i ultë. Asnjë nga projektet e mëdha kapitale të trashëguara nga qeveritë paraprake dhe të nisura para vitit 2021 nuk është realizuar, përfshirë këtu autostradën e Gjilanit, rrugën për Pejë, rrugën për Mitrovicë, rrugën për Podujevë, rrugën Dollc - Gjakovë, rrugën Prizren - Gjakovë etj.

"As projektet e premtuar nga kjo qeveri nuk janë realizuar, përfshirë këtu: rrugën dhe tunelin Prizren-Tetovë, hekurudhën Prishtinë-Durrës, aeroportin e Gjakovës, çerdhet për fëmijë, banesat sociale, digat për akumulime dhe projekte të tjera. Kështu që, askush nuk beson më në shifrat e larta të investimeve kapitale të parapara në buxhetin e vitit 2027", ka shkruar Hoti.

Tutje ai ka thënë se realizimi i buxhetit për investime kapitale ka mbetur i ulët edhe pse procedurat e prokurimit janë kryer në shumë raste përmes negocimit, siç dëshmohet me qindra e mijëra tenderë njëburimorë apo me negocim.

"Pasojat ekonomike dhe sociale nga mosrealizimi i projekteve kapitale po i bartim të gjithë. Kolonat e gjata nëpër rrugë në ndërtim e sipër tash e gjashtë vite po i kushtojnë secilit kohë dhe shpenzime. Mosrealizimi i investimeve kapitale e kanë lënë ekonominë e Kosovës pa qindra miliona euro në qarkullim, mjete që do të krijonin efekte zinxhirore pozitive në ekonomi", ka shkruar ndër të tjera Hoti.