Kurti takohet në Paris me nobelistin e ekonomisë, Philippe Aghion
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Paris me ekonomistin e njohur francez, profesorin Philippe Aghion, fitues i çmimit “Nobel për Ekonomi” në vitin 2025.
Sipas njoftimit të Qeverisë, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimin ekonomik të Kosovës, sektorët me potencialin më të madh të rritjes, inovacionin dhe sfidat që sjell zhvillimi i inteligjencës artificiale.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar sektorit të teknologjisë, i cili sipas Qeverisë përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV) të Kosovës dhe vazhdon të shënojë rritje.
Kurti dhe Aghion kanë diskutuar gjithashtu për rolin e qeverive në mbrojtjen e punëtorëve, zhvillimin e aftësive profesionale dhe tranzicionin energjetik.
Një tjetër temë e takimit ishte sistemi i arsimit dual në Kosovë, i frymëzuar nga modelet e Gjermanisë dhe Zvicrës. Sipas njoftimit, profesori Aghion ka vlerësuar pozitivisht politikën e Qeverisë për zhvillimin dhe zbatimin e këtij sistemi, i cili ndërthur arsimin profesional me përvojën praktike në vendin e punës.
Philippe Aghion është një nga ekonomistët më të njohur bashkëkohorë. Ai ligjëron në Collège de France, INSEAD dhe London School of Economics (LSE), ndërsa më herët ka zhvilluar një pjesë të karrierës së tij akademike në Universitetin e Harvardit dhe Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit (MIT). /Zëri