I liruari nga akuza për terrorizëm kërkon kompensim për kohën sa ishte suspenduar nga puna

I liruari nga akuza për terrorizëm kërkon kompensim për kohën sa ishte suspenduar nga puna

Kronika August 21, 2019 - 13:41
Lexoni detajet

Pasi ishte liruar nga akuza për veprën penale për trafikim me njerëz, drejtori i zyrës regjionale të punësimit në Komunën e Gjakovës, Kujtim Dula po kërkon kompensim të dëmit për kohën sa ishte suspenduar nga puna.

Ai për rreth dy vjet ishte suspenduar nga puna, pasi ndaj tij ishte ngritur aktakuza që e ngarkonte me një vepër të tillë penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke pretenduar se padrejtësisht ishte suspenduar nga puna me 50% të pagës së të ardhurave personale, për periudhën 1 gusht 2012 e deri më 31 tetor 2014, me ç’rast ka ushtruar padi ndaj Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ai pretendon se as pjesa prej 50% e pagës nuk është kompensuar, prandaj kërkon që një gjë e tillë të bëhet pasi që të aprovohet padia e tij.

Lidhur me këtë rast, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, është mbajtur seanca përgatitore, në të cilën ka munguar përfaqësuesi i palës së paditur, që sipas gjykatësit Besnik Bislimaj, ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën nuk e ka arsyetuar.

I autorizuari i paditësit, avokati Prenk Pepaj ka deklaruar se baza e kërkesëpadisë nuk është kontestuese, pasi që një gjë e tillë vërtetohet nga aktgjykimi i plotfuqishëm i 14 tetorit 2016.

Ai ka propozuar që të bëhet një ekspertizë financiare pas marrjes të së cilës, më pas do të precizohet lartësia e kërkesëpadisë.

Më pas, gjykatësi Bislimaj si ekspert financiar ka caktuar Kujtim Qela, të cilit si detyrë ia ka caktuar që të bëjë llogaritjen e pagës bazë të paditësit Dula, sipas kontratës së punës dhe të bëjë llogaritjen e 50% të pagës bazë të ndalur, duke filluar nga 1 gushti 2012, deri më 31 tetor 2014.

Seanca e radhës do të caktohet pas marrjes së ekspertizës financiare.

Sipas padisë së parashtruar më 25 tetor 2018, paditësi Kujtim Dula po kërkon kompensimin e të ardhurave personale nga e paditura, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Sipas padisë, paditësi tek e paditura është në marrëdhënie pune që nga 21 gushti 2008, e tutje.

Siç thuhet në padi, më 1 gusht 2012 e deri më 31 tetor 2014, paditësi është suspenduar nga puna me 50% të pagës së të ardhurave personale, për shkak të ngritjes së aktakuzës  si i dyshuar për kryerje të veprës penale nga neni 139 parag.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Sipas padisë, me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë të 29 marsit 2016, tani paditësi është liruar nga akuza, aktgjykim të cilin më pas e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Sipas padisë, deri në ditën e parashtrimit të padisë nga ana e të paditurës nuk i është kompensuar pjesa e 50% e të ardhurave personale të papaguara, për shkak se siç thuhet, pa të drejtë është suspenduar nga puna, gjë e cila është vërtetuar edhe me aktgjykimin lirues.

Andaj, sipas padisë, po kërkon nga Gjykata që të nxjerr aktgjykim me anë të së cilit do të detyrohej e paditura, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale që paditësit t’ia kompensojë 50% të të ardhurave personale të papaguara, me kamatë ligjore prej 8%, duke filluar nga data a parashtrimit të padisë e gjerë në pagesën definitive.