Arrestohen tetë persona në Preshevë, disa prej tyre zyrtarë komunalë

Arrestohen tetë persona në Preshevë, disa prej tyre zyrtarë komunalë

Kronika June 05, 2020 - 10:46

Disa funksionarë të Komunës së Preshevës janë arrestuar në një aksion policor të zhvilluar të enjten në mëngjes, ka njoftuar Ministria serbe e Punëve të Brendshme.

Sipas Policisë serbe, në këtë aksion janë arrestuar tetë persona, nën dyshimin se kanë keqpërdorur rreth 17 mijë euro të parasë publike gjatë kryerjes së punimeve për ndërtimin e një parku të fëmijëve në Preshevë.

Ministria serbe e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në këtë rast është arrestuar N. L. (1987), pronari i ndërmarrjes “B&L Planet” nga Presheva, si dhe S. B. (1975), I. A. (1960), P. M. (1987), anëtarë të Komisionit Komunal të Prokurimit Publik në Preshevë, të cilët akuzohen për veprën penale të “Abuzimit” në lidhje me prokurimin publik.

Nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “Abuzimit” me pozitën zyrtare është arrestuar edhe M. K. (1978), nga Instituti i Trafikut (CIP) në Beograd, ndërsa D. M. (1984), personi përgjegjës i ndërmarrjes “Dim Energi” DOO Pirot, P. P. (1970), personi përgjegjës për ekzekutimin e punimeve dhe A. B. (1977), personi përgjegjës i kompanisë “Tobler Skele” në Preshevë, u arrestuan me dyshimin se kishin kryer veprën penale të abuzimit me pozitën e një personi përgjegjës, shkruan “Zeri.info”.

“Dyshohet se M. K., D. M. dhe P. P. kanë falsifikuar dokumente, të cilat dëshmojnë se një pjesë e punëve në parkun e fëmijëve është kryer, ndonëse punët nuk janë kryer. Edhe përkundër kësaj, organi koordinues për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë për këtë punë ka paguar rreth 13 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Policisë serbe.

Po ashtu të dyshuarit S. B., I. A. dhe P. M. akuzohen se vitin e kaluar kanë kryer një prokurim publik për ndërtimin e një shatërvani në parkun e fëmijëve në Preshevë, ndërsa për punëkryes kishin zgjedhur A. B. dhe N. L., edhe pse e kanë ditur se më 2018-n është kryer një prokurim publik për atë punë dhe është lidhur kontrata me kontraktuesin.

Sipas dyshimeve, A. B. dhe N. L. për fazën e parë të punimeve për shatërvan kanë paguar çmim më të lartë nga çmimi i projektit dhe çmimi i tregut, duke e dëmtuar kështu Organin Koordinues për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë me rreth 4 mijë euro.

Ndërkaq, siç ka raportuar një portal nga Bujanoci, në mesin e të arrestuarve janë bashkëpunëtorë të kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.