Gjakovë: Vret dhëndrin dhe plagos motrën e nipin, policia e arreston të dyshuarin

Gjakovë: Vret dhëndrin dhe plagos motrën e nipin, policia e arreston të dyshuarin

Kronika July 07, 2020 - 10:15

Një vrasje e rëndë ka ndodhur në fshatin Bardhaniq të Gjakovës në orët e para të mëngjesit të së martës.

Atje dyshohet se një shtetas i Shqipërisë ka vrarë dhëndrin dhe ka plagosur motrën e nipin e tij, raporton “Zeri.info”.

Rastin për “Zërin” e ka konfirmuar drejtori i Policisë Rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta, i cili ka thënë se mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes, ndërsa njëri prej të plagosurve është dërguar për në QKUK pas plagëve të marra.

“Një vrasje ka ndodhur në fshatin Bardhaniq, në vendin e ngjarjes janë përgjigjur të gjitha njësitet e nevojshme policore, prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës, ndërsa dy personave të tjerë u është dhënë ndihma e parë në vendin e ngjarjes, njëri prej tyre për shkak të plagëve të rënda është transferuar për në QKUK”, ka thënë Graishta për “Zërin”.

Graishta ka konfirmuar se rreth orës 07:00 policia në Deçan e ka arrestuar të dyshuarin, i cili është shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe ai është ndaluar për 48 orë.

“Aktualisht po vazhdon shqimi i vendit të ngjarjes, rreth orës 07:00 është arrestuar nga Stacioni Policor i Deçanit, me vendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë, trupi i viktimës është dërguar për në autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa hetimet po kryhen nga Njësiti Rajonal i Policisë së Gjakovës”, ka thënë Graishta.

Graishta gjithashtu ka konfirmuar i dyshuari është mik i viktimës. /Zëri