14 mijë euro gjobë ndaj tre të akuzuarve për kontrabandim të mallrave dhe dhënie ryshfeti

14 mijë euro gjobë ndaj tre të akuzuarve për kontrabandim të mallrave dhe dhënie ryshfeti

Kronika October 20, 2021 - 12:50

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj tre të dyshuarve për kontrabandim me mallra dhe dhënie ryshfeti.

Siç bën të ditur Gjykata, i dyshuari L.S. akuzohet se nga tetori i vitit 2020 e deri më maj të vitit 2021 ka bartur mallra dhe ka kaluar vijën kufitare në Han të Elezit, duke shmangur kontrollin doganor. Për këtë i dyshuari është dënuar me gjobë në shumën prej 10 mijë eurove.

“I pandehuri L.S. akuzohet se nga tetori i vitit 2020 deri më 18.05.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka bartur mallra dhe ka kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor, me rastin e ndaljes dhe kontrollit nga hetuesit doganorë, në veturë i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e barnave prej 15 artikuj, përkatësisht 1,385 pako, si dhe 248 copë, ndërsa me rastin e kontrollit të depos – garazhit të tij, gjenden dhe sekuestrohen edhe një sasi tjetër e barnave prej 359 artikuj, gjithsej 16,290.00 pako, vlera e përgjithshme e të cilave kap shumën prej 80,061.06 eurove. I njëjti më 18.05.2021 në pikën kufitare në Han të Elezit, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme zyrtarit doganor, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 70 €, për çka edhe ishin marr vesh paraprakisht përmes telefonit, me qëllim që të mos u nënshtrohet procedurave ligjore të kontrollit kufitar”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, i dyshuari tjetër F.R. akuzohet se më 19 mars 2021 në pikën kufitare në Han të Elezit, i ka dhuruar dhuratë zyrtarit doganor për t’ia mundësuar futjen e mallrave nga Maqedonia e Veriut në Kosovë, pa iu nënshtruar procedurave ligjore. Për këtë, i akuzuari është dënuar me gjobë prej 500 eurosh dhe dënim burgimi prej tre muajsh, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit, gjoba i zëvendësohet në shumën prej 1500 eurove.

“I pandehuri F.R. akuzohet se më 19.03.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasurorë për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme zyrtarit doganor, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 20 €, për shërbimin e kryer ngase i kishte mundësuar futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit kufitar”, thuhet në njoftim.

Kurse, i akuzuari i tretë A.M. akuzohet se më datë 21 mars 2021 në Ferizaj, i ka dhuruar dhuratë personit zyrtar, për t’ia mundësuar futjen e mallrave nga Maqedonia e Veriut në Kosovë, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit kufitar. Për këtë, i akuzuari është dënuar në gjobë prej 500 eurosh dhe dënim burgimi prej tre muajsh, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet me dënim gjobe në shumë prej 1500 eurosh.

“I pandehuri A.M. akuzohet se më 21.03.2021, në Ferizaj, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasurorë për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme ose përftim tjetër personit zyrtar, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 50 €, për shërbimin e kryer ngase i kishte mundësuar futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit kufitar”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt. /Zëri