Një muaj paraburgim për serbin e arrestuar që dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës

Një muaj paraburgim për serbin e arrestuar që dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës

Kronika April 14, 2024 - 21:57

Një muaj paraburgim i është caktuar serbit S.S i arrestuar të shtunën nga Policia e Kosovës si i dyshuar që bashkë me një grup ka gjuajtur me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës.

Vendimi është marrë të dielën nga Gjykata Themelore në Prishtinë e cila, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të pandehurit S.S., i dyshuar për sulm ndaj personit zyrtar dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykatësi i procedurës paraprake, kërkesën e Prokurorisë e aprovoi si të bazuar, pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, ngase i pandehuri S.S me qëndrimin në liri mund të fshihet apo të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të peshës së veprave penale për të cilat ngarkohet, e këtë duke marrë për bazë faktin se i njëjti ishte arratisur prej kohës kur dyshohet se është kryer vepra penale, po ashtu mund të fshihet apo të largohet lehtë nga Republika e Kosovës pasi i pandehuri është shtetas edhe i Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata po ashtu njofton se të shtunën, Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës, përderisa ishin duke e ekzekutuar një urdhër të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për kontroll të disa lokacioneve në lidhje me veprën penale të kontrabandimit të mallrave, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe të Doganës, kishin shkuar në Zveçan për kontrollimin e objekteve të caktuara dhe pas përfundimit të kontrollit njësitë policore kanë qenë duke lëvizur me mjete të blinduara nga Zveçani në drejtim të Mitrovicës.