Aktakuzë ndaj një personi, dyshohet se vrau 48-vjeçarin në Prizren
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë ndaj një personi, dyshohet se vrau 48-vjeçarin në Prizren

Kronika April 15, 2024 - 13:46

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Aziz Gashi, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: “Vrasje e rëndë”, nga Neni 173, “Mbajtje në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve”, nga Neni 366 dhe “Asgjësim ose dëmtimi i pasurisë”.

Sipas aktakuzës, më datën 03.09.2023, rreth orës 18:45, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, i pandehuri A.G. privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave, raporton Zeri.info.

“Në atë mënyrë që pas një zënke të çastit që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të pandehurit dhe viktimës, i pandehuri A.G., me automjetin e tij, niset në drejtimin e shtëpisë së tij, nga ku e merr armën e gjatë 'AK-47', hipën në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e vëren viktimën B.M., i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarit H.Th., (bashkëshortja e viktimës), A.M. (vajza tetëvjeçare e viktimës), R.M. dhe H.Sh., u del përballë me automjet, i pajisur me pushkën automatike 'AK-47', zbret nga automjeti, shkrep një rafal në drejtim të viktimës B.M., me ç’rast të njëjtin e godet në pjesën e përparme të trupit, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë”, thuhet në njoftimit e Prokurorirsë.

Po ashtu, sipas njoftimit, “i pandehuri i afrohet viktimës, ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur edhe një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës, me ç’rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Të dëmtuarat H.Th. dhe A.M. gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës, ndërsa i dëmtuari R.M. arrin të fshihet prapa një muri në afërsi të vendit të ngjarjes e i dëmtuari H.Sh. fshihet prapa automjetit të të pandehurit”.

“I pandehuri largohet në drejtim të automjetit të tij, kur e vëren të dëmtuarin H.Sh., ia drejton armën, e në momentin kur i dëmtuari i drejtohet me fjalë se 'unë nuk kam bërë asgjë, vetëm iu kam ndarë', i thotë që të largohet nga aty, hipën në automjetin e tij të llojit 'Volkswagen Tiguan' dhe largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, e me këtë rast të dëmtuarve H.Th., (bashkëshortja e viktimës), A.M., (vajza tetëvjeçare e viktimës), R.M.,. dhe H.Sh., ua rrezikon jetën”, thuhet në njoftimin e Prokurororisë Themelore të Prizrenit.

Me këto veprime i pandehuri A.G. ka kryer veprat penale të lartcekura.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. /Zëri