Në tri raste, policia jep gjoba 1200 euroshe për shkelësit e Ligjit të komunikacionit

Në tri raste, policia jep gjoba 1200 euroshe për shkelësit e Ligjit të komunikacionit

Kronika April 19, 2024 - 11:05

Policia e Kosovës në tri raste ka identifikuar shoferin, i cili ka drejtuar mjetin e paregjistruar për një muaj, si edhe ata të cilët kanë drejtuar mjetin nën masën mbrojtëse “Ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik”.

Në rastin e parë shoferi, i cili ka drejtuar mjetin pa regjistrim, është gjobitur me 200 euro dhe i është konfiskuar mjeti përkohësisht, transmeton Zeri.info.

“Njësia për Kontroll të Autostradave ka identifikuar shoferin duke drejtuar mjetin e transportit të paregjistruar më tepër se 30 ditë, i njëjti sipas Ligjit të ri për rregullat e trafikut është gjobitur me 200 €, si dhe mjeti është konfiskuar përkohësisht”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkaq përveç kësaj, policia ka identifikuar edhe një rast tjetër, ku shoferi i cili ka drejtuar mjetin nën masën mbrojtëse “Ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik”, shoferi është gjobitur me 500 euro gjobë, pesë pikë negative si edhe masa mbrojtëse i është vazhduar edhe për gjashtë muaj, ndërkaq mjeti i është konfiskuar.

“Njësia për Kontroll të Autostradave ka identifikuar shoferin duke drejtuar mjetin nën masën mbrojtëse ‘Ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik’, i njëjti është gjobitur 500 €, 5 pikë negative dhe i është vazhduar masa mbrojtëse edhe për 6 muaj, si dhe është konfiskuar automjeti”, thuhet në njoftim.

Ndërsa në rastin e tretë Njësia për Përcjellje të Personaliteteve të Rëndësishme identifikoi edhe shoferin, i cili ka drejtuar mjetin nën masën mbrojtëse “Ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik”.

Shoferi është gjobitur me 500 euro gjobë, pesë pikë negative, si edhe i është vazhduar masa mbrojtëse edhe për gjashtë muaj dhe konfiskim i mjetit. /Zëri