Lirohen nga akuza dy infermierët e Spitalit të Gjakovës të akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor
Foto: Laura Hasani

Lirohen nga akuza dy infermierët e Spitalit të Gjakovës të akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

Kronika April 22, 2024 - 10:50

Gjykata Themelore në Gjakovë ka liruar nga akuza Leonora Emrën dhe Driton Tafarshikun, të cilët në cilësi të infermierëve akuzoheshin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të mërkurën nga gjykatësi, Ilir Rashkaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Faktikisht në këtë çështje penale, siç jeni në dijeni përshkrimet, për të cilën akuzohen Emra dhe Tafarshiku, sipas vlerësimit të gjykatës, por edhe dëshmitarëve që i kemi dëgjuar, mjekëve që e kanë pasur në kujdes nuk ka ndikuar që veprimet e të pandehurve të jenë shkaktar që kanë ndikuar në humbjen e jetës së tani të ndjerit I.Gj.”, tha gjykatësi Rashkaj.

Ai tutje tha se edhe e dëmtuara Z.Gj. nuk ka pasur vërejtje nga shërbimet që i kishin dhënë të pandehurit Emra dhe Tafarshiku.

Sipas aktgjykimit, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.

Ndërsa të dëmtuarat Z.Gj. dhe F.Gj. për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.

Kundër këtij aktgjykimit palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Leonora Emra akuzoheshin se më 15 korrik 2020, në pozitën e kryeinfermieres në Repartin e Pulmologjisë, pranë spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndaj pacientit I.Gj., të diagnostikuar me COVID-19, ka zbatuar metoda të papërshtatshme mjekësore, duke treguar pakujdesi në rregullat e kujdesit në profesion.

Për këtë sipas aktakuzës, Emra akuzohej se ka kryer veprën penale të “Trajtimit i pandërgjegjshëm mjekësor” nga Neni 254, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri i dytë Driton Tarfashiku, po akuzohet se në pozitën e teknikut medicinal, në dhënien e ndihmës ndaj pacientit- tani të ndjerit I.GJ., pasi është njoftuar nga kryeinfermierja Leonora Emra, për ta bërë bartjen e tij në Emergjencë për te ekipi për dërgimin e pacientëve për QKUK- në Prishtinë, i pandehuri e ka lënë pacientin së bashku me bashkëshorten e tij dhe shoferin e spitalit në vig, pranë ashensorit, në korridor, ku më pas me të hyrë në ashensor iu janë shfaqur defekte dhe për pesë minuta kanë qëndruar brenda, me këtë rast dhe pse pacienti e kishte aparatin astmatik, i janë shfaqur probleme në frymëmarrje, ku më pas u dërgua në QKUK, në repartin për trajtim me COVID-19, ku tani i ndjeri I.GJ. ka ndërruar jetë.

Me këtë, Tafarshiku akuzohej se ka kryer veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, nga Neni 254, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.