Më 12 shkurt seanca gjyqësore për vrasjen e policit, Muhamed Lika
Foto: Zëri

Më 12 shkurt seanca gjyqësore për vrasjen e policit, Muhamed Lika

Kronika January 14, 2026 - 09:27

Më 12 shkurt do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar për vrasjen e policit Muhamed Lika, për vrasjen e të cilit tashmë ka një aktakuzë.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se më 12 shkurt 2026, duke filluar nga ora 09:00, do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj disa të akuzuarve për vrasje të rëndë.

Sipas njoftimit zyrtar, të pandehurit H.B., R.M., V.Ç., E.L. dhe Sh.K. akuzohen për veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.9, në lidhje me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërkaq, i pandehuri D.G. akuzohet për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, nga Neni 380 paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 2 të KPRK-së.

Seanca do të mbahet në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, në katin e parë, salla numër I dhe do të udhëhiqet nga gjyqtari Ilir Bytyqi.

Nga Gjykata bëhet e ditur se seanca është e hapur për publikun, duke ftuar mediat dhe qytetarët e interesuar ta përcjellin atë.