Zjarrfikësit e Kamenicës ia shpëtojnë jetën një personi të moshuar të bllokuar në bodrum

Zjarrfikësit e Kamenicës ia shpëtojnë jetën një personi të moshuar të bllokuar në bodrum

Kronika January 26, 2026 - 20:56

Sot, një operacion kërkim-shpëtimi ka përfunduar me sukses në Kamenicë, kur ekipi i Zjarrfikësve gjeti një person të moshuar, rreth 85 vjeç, i cili kishte humbur dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.

Pas disa orësh kërkimi intensiv, personi u gjet i bllokuar në bodrumin e një shtëpie të mbyllur, ku kishte hyrë përmes një dritareje të vogël dhe kishte mbetur i papajisur me mundësi daljeje.

Sipas njoftimit të Zjarrfikësve të Kamenicës, ata kanë thënë se “Falë përkushtimit, profesionalizmit dhe bashkëpunimit të ekipit tonë, rasti u përmbyll me sukses dhe personi u nxor i sigurt. Këto janë momentet që na kujtojnë pse shërbimi ynë është jetik për komunitetin.”

Ekipi i Zjarrfikësve shprehu mirënjohje për angazhimin e tij të palodhur dhe falënderoi gjithashtu Policinë e Kosovës dhe QKMF-Kamenicë për bashkëpunimin në këtë operacion shpëtimi.

Ky sukses vjen pas një angazhimi të jashtëzakonshëm, që ka shpëtuar një jetë dhe ka treguar se shërbimi i zjarrfikësve është një element kyç për sigurinë e qytetarëve.