Zgjerohen hetimet për manipulimin me vota në Prizren, intervistohen 28 persona, pesë ndalohen për 48 orë

Zgjerohen hetimet për manipulimin me vota në Prizren, intervistohen 28 persona, pesë ndalohen për 48 orë

Kronika January 29, 2026 - 16:34

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, ka zgjeruar hetimet lidhur me rastin e dyshimeve për manipulim të rezultateve zgjedhore në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përkatësisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren.

Zgjerimi i hetimeve ka ardhur pas pranimit të informatave publike që ndërlidhen me procesin e rinumërimit të votave, ku është përfshirë tashmë edhe grupi i dytë i të dyshuarve.

Në kuadër të këtij procesi, me autorizim të Prokurorisë, janë intervistuar 28 persona të dyshuar dhe 6 dëshmitarë. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pesë  persona janë ndaluar për 48 orë.

Sipas njoftimit zyrtar, katër persona, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, dyshohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa një (1) person, në cilësinë e Koordinatorit të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) për Komunën e Prizrenit, dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesave për caktimin e masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës theksojnë se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që shkelin ligjin./Zëri