Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc
Foto: Laura Hasani

Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc

Kronika February 16, 2026 - 10:27

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dy vëllezërit, Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe i akuzuari tjetër, Igor Dimoviq, u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Deklarimin rreth fajësisë të akuzuarit e bënë në seancën fillestare të hënën, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Bekim Kodraliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtjen e tyre dhe kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

Në aktakuzën të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

Këtë, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të Ibër Lepencit.

E kjo, në aktakuzë thuhet se kishte shkaktuar ndërprerje furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore te Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës – Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 eurove e 70 centësh.

Kështu, ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga Neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga Neni 129., par. 1 dhe Neni 128, par. 1, nënpar. 1.8, lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për “Armëmbajtje pa leje”.