Të enjten, aktvendimi për rastin e vrasjes së Maria Clara Urdangarayt
Të enjten pritet të shpallet aktvendimi i gjykatës në rastin e vrasjes së shtetases argjentinase, Maria Clara Urdangaray.
Gjyqi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij, ka arritur në fazën përfundimtare
Në seancën e fundit, prokurori i çështjes, Armend Hamiti, paraqiti fjalën përmbyllëse, duke kërkuar që i pandehuri të shpallet fajtor sipas aktakuzës.
Njëherësh, edhe i akuzuari Endrit Nika mori fjalën para trupi gjykues.
Me gjithë zemër dua t’i kushtoj disa fjalë Maria Clarës sime. Kur e njoha në shkurt 2023, gjatë pushimeve në Barcelonë, nuk besoja te dashuria e vërtetë, por ajo erdhi papritur në jetën time me një buzëqeshje të ndritur që më mbeti krejtësisht në zemër. Mora guximin dhe ia kërkova Instagram-in. Kishim të njëjtin humor, të njëjtat plane për të ardhmen dhe u kuptuam menjëherë. Ndarja, kur m’u desh të kthehesha, ishte e vështirë, Clara qau, dhe kur hipa në taksi shpresoja fshehurazi në ndonjë shenjë që të mos nisesha. Kur mbërrita në aeroport e kuptova se avioni kishte vonesë. Vendosa të fluturoja të nesërmen dhe vendosa ta shoh edhe një herë Clarën. Ajo u gëzua pa masë, veshi pulovrën time, dhe të nesërmen duhej të largohesha, por i premtova se do të kthehesha, dhe këtë premtim e mbajta. Sa herë kisha mundësi, shkoja te ajo”, tha Nika, teksa u ndërpre fjalimi i tij nga trupi gjykues.