Zbulohet laboratori i drogës në Jabllanicë të Pejës, prokuroria me detaje të reja
Një laborator i drogës është zbuluar dhe asgjësuar sot në një fshat të Pejës, ndërsa një person i dyshuar është arrestuar gjatë aksionit të realizuar nga organet e rendit.
Prokuroria Themelore në Pejë, njofton se përmes Departamentit për Krime të Rënda, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Njësinë Anti-Drogë në Pejë, kanë zhvilluar një operacion në fshatin Jabllanicë e Vogël në Komunën e Pejës.Gjatë këtij aksioni është zbuluar dhe shkatërruar një laborator i sofistikuar për prodhimin e narkotikëve të llojit Kanabis sativa. Operacioni është zhvilluar në kuadër të planit operativ “Stop drogave”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë kontrollit janë sekuestruar gjithsej 91 bimë narkotike të kanabisit, pajisje të avancuara për kultivimin dhe prodhimin e drogës, si dhe një armë zjarri. Po ashtu, është konstatuar se objekti ishte i kyçur ilegalisht në rrjetin elektrik për të mundësuar funksionimin e pajisjeve.Gjatë aksionit është arrestuar një person i dyshuar, i cili me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë. Me autorizim të prokurorit, bimët narkotike janë asgjësuar, ndërsa provat e tjera të sekuestruara do të përdoren në procedurën penale.Prokurori i shtetit pritet që brenda afatit ligjor të paraqesë kërkesë për sigurimin e prezencës së të dyshuarit në procedurë penale.
Nga Prokuroria Themelore në Pejë u theksua se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës mbeten të përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave që përfshihen në veprimtari të kundërligjshme.
Njëkohësisht, qytetarët janë inkurajuar që të bashkëpunojnë me institucionet përkatëse duke raportuar çdo informacion që lidhet me aktivitete ilegale, në funksion të rritjes së sigurisë publike në vend.