Vetëdorëzohet në Polici i dyshuari për vrasjen në Gjakovë

Vetëdorëzohet në Polici i dyshuari për vrasjen në Gjakovë

Kronika May 05, 2026 - 11:30

Një person i dyshuar për vrasje është vetëdorëzuar në Polici pas një rasti të rëndë që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit në këtë qytet.

Sipas Policisë, fillimisht është raportuar se një person i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të shkaktuara me mjet të mprehtë. I lënduari fillimisht është trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, për t’u transferuar më pas në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku edhe ka vdekur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20 në rrugën “Mbretëresha Teutë”, pas një mosmarrëveshjeje, ku viktima dyshohet se është sulmuar me mjet të mprehtë nga një person tjetër, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje”, transmeton Zeri.info.

Si rezultat i veprimeve hetimore, janë identifikuar dy persona të dyshuar. Njëri prej tyre, me inicialet Q.S., është vetëdorëzuar në polici rreth orës 09:45 dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

Policia bëri të ditur se, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdojnë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. /Zëri