Sekuestrohen rreth 100 mijë euro nga krimet kibernetike në Prishtinë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka sekuestruar pasuri në vlerë rreth 100 mijë euro, të cilat dyshohet se janë përfituar përmes veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Sipas njoftimit, aksioni është realizuar në kuadër të hetimeve intensive, në koordinim me Policia e Kosovës, konkretisht me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane.
Prokuroria ka bërë të ditur se pasuria e sekuestruar dyshohet të jetë përfituar nga veprimtari të kundërligjshme të të dyshuarve, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është vendosur masë ndaluese për këtë pasuri. Për këtë vendim janë njoftuar edhe bankat komerciale në Kosovë.
Institucioni i akuzës thekson se, në bashkëpunim me Policinë, mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, me theks të veçantë në krimet kibernetike, ndërsa hetimet për rastin do të vazhdojnë në koordinim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. /Zëri
Njoftimi i plotë nga Prokuroria:
Prokuroria e Prishtinës sekuestron rreth 100 mijë euro pasuri të dyshuara nga krimet kibernetike
Prishtinë, 5 maj 2026- Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se në vazhdën e hetimeve intensive lidhur me rastin për veprën penale ‘’Mashtrimi kompjuterik’’, sipas nenit 277/K, të Ligjit nr. 08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane, është mundësuar identifikimi dhe sekuestrimi i pasurisë që dyshohet se është përfituar përmes veprimtarive kriminale.
Si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga prokurori i Shtetit, pasuria e sekuestruar, në vlerë rreth 100.000 (njëqind mijë) euro, dyshohet se buron nga veprimtaria e kundërligjshme e të dyshuarve. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është lëshuar urdhër ndalues për këtë pasuri, për të cilin janë njoftuar edhe bankat komerciale në Kosovë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, në veçanti të krimeve kibernetike.
Ndërkohë, prokurori i çështjes do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.